Kompania Ardi sh.p.k. me pronar Fadil Demirin, është futur në liste të zezë. OShP’ja mori ketë vendim pasi që kjo firmë, sipas ShSKUK-së falsifikon në tenderin e hemodializës. Detaje nga vendimi.
Kompania Ardi sh.p.k, është diskualifikuar për 3 muaj, rrjedhimisht i është ndaluar pjesëmarrja në prokurimet publike.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka dorëzuar ankesë në OSHP ndaj Operatorit Ekonomik “Ardi Sh.p.k, “- Fushë Kosovë, për tenderin “Furnizim me material për hemodializë nga LE për SHSKUK”, pasi siç thuhet në vendim, gjatë procesit të vlerësimit të ofertave Komisioni ka vërejtur se mostrat e ofruara për Lot 4 dhe Lot 5 nuk janë origjinale, konkretisht vërehet se ka ndërhyrje ne mostrën e dorëzuar për tenderin për hemodializë.
Sipas autoritetit kontraktues, në mostrën e dorëzuar, te pjesa e “Fixed Wing” është vendosur një stiker me emërtimin “Rotating Wing”, dhe krejt kjo sipas autoritetit kontraktues është bërë vetëm e vetëm për të mbuluar specifikimin teknik të produktit të kërkuar nga ana jonë.
OSHP’ja pas kësaj ka marrë vendim që ta aprovojë kërkesën e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurimin publik të OE Ardi Sh.p.k, – Fushë Kosovë.
“Operatorit ekonomik “Ardi Sh.P.K”, me nr. unik 810517089 – Fushë Kosovë, i shqiptohet masa e diskualifikimit, për periudhën kohore prej tre (3) muajve, nga data: 25.10.2024 deri më 25.01.2025, për pjesëmarrje në aktivitete e prokurimit publik në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.
Ndërsa Ardi sh.p.k ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e ShSKUK’së, duke sqaruar se ka ndodhë një gabim teknik nga ana e prodhuesit dhe se prodhuesi në fjalë është “Rotating Wing”./Insajderi.org/.