Familja e Haki Imerit: Ai u vra në kohën kur në pushtet ishin Hashim Thaçi e Rexhep Selimi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Familja e Haki Imerit: Ai u vra në kohën kur në pushtet ishin Hashim Thaçi e Rexhep Selimi

    Insajderi
    23 January 2017 - 13:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Familja e Haki Imerit, aktivistit të LDK-së të vrarë pas luftës, i ka dërguar një letër publike David Schwendiman, kryeprokurorit të Prokurorisë së Specializuar për krime lufte.

    Nga ai kanë kërkuar që të hetohet në detaje kidnapimi, torturimit dhe vrasja e familjarit të tyre, Haki Imerit.

    “Kjo është vrasja e parë politike në Kosovën e pasluftës, ndërsa asnjë autoritet, as administrata e UNMIK-ut, as institucionet e Republikës së Kosovës, dhe EULEX-it nuk janë marrë seriozisht me hetimin e kësaj vrasjeje politike”, thuhet në këtë letër.

    Në këtë letër të familjes i tregohet kryeprokurorit special për emrat e dy politikanëve që duhet të kenë informata për vrasjen e Haki Imerit.

    “Asokohe kur është kidnapuar Babai dhe vëllai i ynë pushtetin e kishte Qeveria e Përkohshme, Kryeministër i së cilës ishte Hashim Thaçi, dhe Ministër i Rendit Rexhep Selimi. Që të dy e kishin njohur shumë mirë Babanë dhe vëllanë tonë. Asnjë reagim nuk erdhi për 17 vite as nga Presidenti i tashëm, as nga anëtari i LVV-së Rexhep Selimi edhe pse gjeografikisht i takonim te njëjtës bashkësi lokale, Turiqevcit. Prandaj dhe njihemi me njëri tjetrin”, thuhet në këtë letër.

    Familjarët e Haki Imerit shprehen të zhgënjyer me UNMIK-un dhe EULEX-in dhe pohojnë se shpresat i kanë mbetur tek Gjykata Speciale.

    “Ne me këmbëngulje kërkojmë drejtësi dhe shpresojmë e besojmë se Ju dhe Taske Forca që ju e drejtoni do të nxjerrë të gjithë kriminelët para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit, dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju e keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte te reja për të zbardhur të vërtetën”, theksohet në këtë letër publike.

    Po ashtu, në këtë letër thuhet se Thaçi nuk mund ta shfajësojë veten nga përgjegjësia nëpërmjet manipulimeve me dekorata dhe akademi përkujtimore.

    “Ditë më parë ai (Thaçi)  u shfaq  dhe organizoi një ceremoni përkujtimi për Haki Imerin, babanë dhe vellanë tonë,  qëllimi i së cilës ishte që ta shfajësojë vetveten nga akuzat e  bëra për 17 vite. Por ne kërkojmë që akuzat ndaj tij t’i ekzaminojë dhe provojë Gjykata Speciale, i vetmi institucion ligjor në të cilin ne si familje besojmë”, thuhet në letrën publike drejtuar kryeprokurorit Shcwendiman./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark