Familja Jashari ende pa memorial dinjitoz – ortakët e Bekim Jasharit nuk i ndalën tenderët e korrupsionin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Familja Jashari ende pa memorial dinjitoz – ortakët e Bekim Jasharit nuk i ndalën tenderët e korrupsionin

    Insajderi
    06 March 2021 - 20:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Janë 45 tenderë e mbi 10.5 milionë euro të shpenzuara deri më tani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” nga buxheti i shtetit.

    Janë ndarë 45 tenderë ndërsa 500 mijë euro janë shpenzuar për projektin slloven, i cili tregon se si do të ‘duket’ Memoriali “Adem Jashari” në Prekaz. Por, ky projekt tanimë thuhet se nuk i plotëson kushtet për jetësim ndërsa memoriali tashmë është gati në shkatërrim total.

    Ndërkohë Insajderi kishte siguruar raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Memorialëve që ia ka dërguar Komitetit për Kompleksin “Adem Jashari”. Aty janë listuar krejt shpenzimet që janë bërë nga kjo agjenci dhe më herët edhe nga Ministria e Mjedisit për këtë projekt. Kur shikohet kjo listë e gjatë, lehtë edhe projekti mund të emërohet si Kompleksi i Tenderëve “Adem Jashari”.

    Për këtë memorial janë shpenzuar për këta 45 tenderë hiç më pak se sa 10.5 milionë euro. E, kurdo që përmendet fjala “tender”, ajo asocion me fjalën korrupsion.

    Pos tenderit për ruajtjen e shtëpive të rezistencës së Jasharajve, janë edhe dhjetëra tenderë të tjerë që i ka zhvilluar Ministria e Mjedisit dhe Agjencia e Memorialëve për këtë pjesë.

    Ndër ta që bien më në sy për kah vlera janë tenderi për hartimin e projektit kryesor për qendrën e Memorialit “Adem Jashari” që ka kushtuar 120 mijë euro e është fituar nga kompanitë “A Design” dhe “Atelier”, pastaj kryerja e punëve hidroteknike po për atë qendër që ka kushtuar afro 300 mijë euro dhe i është dhënë kompanisë “100 Design” nga Skenderaj.

    Po të njëjtës kompani i është dhënë edhe ekzekutimi i punëve në këtë kompleks në vitin 2006 dhe ka lidhur një kontratë prej mbi 280 mijë euro me Qeverinë. E njëjta kompani po ashtu në tri vitet që do të pasonin shpërblehet edhe me dy tenderë me emër të njëjtë: “ekzekutim i punimeve” dhe vlera e tyre së bashku shkon në afro 3.5 milionë euro.

    “100 Design”, e njëjta kompani në vitin 2009 angazhohet për të ndërtuar një mur mbrojtës për nevojat e Kompleksit dhe kontrata me të figuron të jetë hiç më pak se afro 140 mijë euro. Kjo kompani në vitin 2010 angazhohet përsëri nga Qeveria për vazhdimin e punëve në Kompleks dhe kontrata e këtij tenderi peshon afro 1.5 milionë euro.

    Për hartimin e projekti ideor për amfiteatrin në Memorial po atë vit i besohet një kompanie nga Prekazi, “H&B Consulting” dhe shpërblehet me 118 mijë euro. Në vitin 2010 po e njëjta kompani i merr edhe 44 mijë euro të tjera tenderë. Kompania “100% Design” ka marrë në këtë kompleks 13 tenderë, sipas raporti të Agjencisë për Menxhimin e Memorialëve, raport ky që ia ka dorëzuar komitetit ndërministror. Kjo kompani është hisedarë edhe në kompaninë “Premium Group” është merret me ndërtim të banesave. “100% Design” aty mban 12 % të aksioneve, dhe është në pronësi të Avni Lushtakut, një biznesmen nga Skenderaj në emër të të cilit janë të regjistruara edhe së paku tri firma të tjera.

    Ortakë të tjerë në kompaninë “Premium Group” janë edhe Bashkim Jashari, Fazli Jashari, Xhafer Demaj, Besim Demaj dhe Bahri Nuredini. Nuredini aktualisht është drejtor i hises së shtetit në Aeroportin “Adem Jashari”, ose e njohur si “Kulla e Aeroportit”.

    E, hisen më të madhe të aksioneve në kompaninë “Premium Group” e mban Bekim Jashari, Kryetari i Skenderajt, nga familja Jashari. Ai i ka në këtë firmë 50 % të aksioneve.

    Siç kishte raportuar Insajderi kohë më parë Hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale (EUOCI) kishin bërë një raport të veçantë për Aeroportin e Prishtinës, ku thuhet se thyerja e protokolleve të sigurisë me prishje radarësh e mungesë gjeneratorësh janë vetëm një anë e problemeve, derisa ngrenë dyshime për keqpërdorime financiare në projekte milionëshe.

    EUOCI ngre dyshime se Bahri Nurdini dhe Bekim Jashari që dikur shërbeu si anëtarë bordi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, e kanë ngritur firmën ndërtimore “Premium Group” dhe se paratë për këtë biznes profitabil mund t’i kenë marrë nga ndonjë projekt në Aeroport.

    Edhe pasi kanë kaluar mbi dy dekada, memoriali i rezistencës së Jasharajve vazhdon të mbetet në kushte të mjerushme, ku rrezikohet edhe shembja e tyre.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark