Familjarët e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Azem Syla me anë të një letre të hapur kanë reaguar për “thyerjen e dyerve të oborrit dhe bastisjes së shtëpisë” së familjarit të tyre, Azem Syla, skena të cilat i vlerësojnë si të ngjashme me ato të para çlirimit të Kosovës.
Familjarët e Sylës nga fshati Kishnarekë e Drenasit, përmes një letre të përbashkët shprehen të befasuar nga ndërhyrjet e Policisë së Kosovës.
“Pse arrestohet kështu Azem Syla, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur dihet se ai në çdo kohë ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, siç u vërtetua edhe kësaj radhe, kur dha dorëheqje nga postet shtetërore dhe u dorëzua vetë në organet përkatëse”.
“Ne ishim të befasuar me këtë ndërhyrje, sa brutale aq edhe spektakulare dhe jemi të habitur se si mund të trajtohet në këtë mënyrë familja e Azem Sylës dhe vetë ai. Skena të ngjashme kemi parë para çlirimit të Kosovës, kur rrethohej lagjja jonë dhe arrestoheshin djemtë tanë, në mesin e të cilëve edhe Azem Syla”, thuhet në letrën e hapur.
Ata thonë se janë të sigurt që familjari i tyre i akuzuar për krim të organizuar është i pastërt dhe se drejtësia do ta tregojë këtë.
“Ne pjesëtarët e familjes Syla jemi të sigurt në pastërtinë e Azem Sylës. Kërkojmë që drejtësia të shqyrtojë profesionalisht dyshimet dhe të veprojë në mënyrë korrekte dhe të paanshme ndaj tij. Deri në vërtetimin e së vërtetës, apelojmë që Azem Syla të lirohet nga burgu dhe të mbrohet në liri”, thuhet ndër tjerash në letrën e hapur të familjes Syla.
Hetimet për Sylën kanë të bëjnë me dyshimet se ai është pjesë e grupit kriminal i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Çagllavicës.
Azem Syla, gjatë luftës, për një kohë ka qenë edhe komandant i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, derisa pas luftës ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Kosovës. /Insajderi.com