Familjarët e të arrestuarve për sulm të Konsullatës turke në Prizren, i kanë dërguar letër Abasadës së Turqisë, dhe institucioneve të Kosovës . Ata kërkojnë falje për veprimin e fëmijëve të tyre.
“Në familjet e fëmijëve tanë të arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar me koktej molotovi Konsullatën e shtetit mikë të Kosovës – Turqisë në qytetin e Prizrenit, përmes kësaj komunikate dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e ambasadës turke në Prishtinë, shtetit turk dhe parasëgjithash qytetarëve të Republikës së Turqisë dhe qytetarëve të Kosovës se ne i konsiderojmë qytetarët turq në Kosovë dhe Turqi së vëllezërit tanë dhe nuk kemi asgjë kundër tyre”, thuhet në letrën e familjarëve të të arrestuarve për sulm ndaj Konsullatës së Turqisë.
Të arrestuarit për sulmin ndaj Konsullatës turke janë arsyetuar sot para Gjykatës se nuk e kanë ditur se cilin objekt po e sulmojnë.
Këto deklarata të arrestuarit i kanë bërë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prizrenit ku prokurori kërkoi që ndaj tyre të shqiptohet masa e paraburgimit.
I. Saramati, E. Saramati, B. Saramati, E. Saramati dhe B. Badallaj janë pesë personat e arrestuar nga policia nën dyshimin se janë autorët e sulmit të 28 nëntorit ndaj Konsullatës turke në Prizren.
Sipas familjarëve të të arrestuarve, kanë thënë se nuk dëshirojnë që rasti të politizohet.
“Na ka bërë të ndihemi keq dhe nuk dëshirojmë që të politizohet në asnjë mënyrë ngase ajo që ka ndodhur nuk përfaqëson në esencë atë që ne ndiejmë për shtetin turk, shtetin i cili e ka përkrahur shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta përkrahë në çdo aspekt”, shkruan PrizrenPress.
“Ne dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik se familjet tona janë të miqësuar me familjet turke në Prizren dhe ndiejmë keqardhje të thellë për incidentin që ka ndodhur me fëmijët tanë. Ne besojmë se fëmijët tanë kanë bërë një veprim të çastit të pa menduar mirë dhe nuk kanë pasur asgjë kundër konsullatës turke , komunitetit turk dhe mbi të gjitha shtetit mikë Turqisë”.
“Ne mendojmë që mediat i kanë dhënë pompozitet të madh të panevojshëm këtij incidenti të izoluar. Ndërsa nga Prokuroria dhe Gjykata kërkojmë që të mos bien nën ndikime dhe të marrin vendim të drejtë në këtë rast. Ne besojmë në organet e rendit të vendit dhe presim vendim profesional në këtë rast”, thuhet në letrën e familjarëve të të arrestuarve.