Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu ka rehatuar në pozitën e “Inspektores së arsimit”, bashkëshorten e tij, Miranda Aliun.
Nga konkursi i shpallur me 5 maj 2023 nga Ministria e Punëve të Brendshme për pozitën “Inspektor i arsimit”, dolën 14 kandidatë fitues.
Listës i priu bashkëshortja e deputetit Aliu, Miranda Aliu.
Pas intervistës dhe testit me shkrim, Miranda Aliu mori gjithsej 86.2 pikë, duke lënë mbrapa 13 kandidatë tjerë.
Insajderi ka kontaktuar disa herë deputetin Luan Aliun dhe bashkëshortën e tij, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm për gazetën.
Kujtojmë se, Gazeta Insajderi edhe gjatë vitit të kaluar kishte raportuar për punësime të familjarëve të deputetit Aliu në Gjilan.
Në shtator të 2022’ës, Insajderi kishte raportuar se Miranda Aliu u përzgjodh si mësimdhënëse e Sociologjisë-Filozofisë në konkursin e hapur nga Komuna e Gjilanit.
Po ashtu, gruas së deputetit i është punësuar motra, Mimoza Alidema në pozitën e edukatores.
Kujtojmë se deputetit Aliu, në maj të 2021’ës i është emëruar dhe motra Shkurte Aliu në Bordin e Teatrit Kombëtar.
Shkurte Aliu është po ashtu aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e vitit 2017 ishte edhe kandidate për deputete nga kjo parti.