Që nga 30 marsi në Facebook është hapur një Fanpage anonime, në të cilën janë duke u publikuar video të përmbledhura kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kjo fanpage e cila nuk ka adresë është emëruar “Blitz”, ndërsa në videot e publikuar kryesisht janë fotografi të “parregullsive” në kryeqytet.
Në videon e fundit të publikuar para 20 orëve fotot nga tollovia tek rrethi i madhe, mbeturinat, rrugë, trotuare dhe shenje të komunikacionit të dëmtuara është shoqëruar me këngën e Ardijan Gaxhës dhe djaloshit Florian “o ska ma mirë se në Prishtinë”.
Klipi është shoqëruar me mbishkrimin “Prishtina (s) po bëhet”, duke e përdorur kështu moton e qeverisjes së Ahmetit “Prishtina po bëhet”. Kjo dhe të gjitha postimet tjera janë të sponzorizuara.
Ky mobilizim në këtë rrjet social ka ardhur disa ditë pas publikimit të fotografive të Ahmetit në jahtin e Devollëve, pikërisht në përgatitjet e fushatës zgjedhore, pasi që zgjedhjet komunale pritet të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti.
Për pak ditë ky fanpage ka mbledhur afër 20 mijë like, ndërsa videot e publikuara kanë marrë numër të madh të shpërndarjeve.
Nga ana tjetër në Facebook është publikuar edhe një reklamë me moton: “Shpendi edhe 4”, përmes së cilës “një grup qytetarësh apartiakë”, mendon se Shpend Ahmeti, duhet të vazhdojë ta qeverisë Prishtinën edhe për katër vjet tjera. /Insajderi.com