
Në kuvendin e sotëm zgjedhor të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u zgjodh sërish në krye të partisë.
Limaj mori të gjitha votat e mbi 350 delegatëve të pranishëm, pa asnjë abstenim dhe votë kundër.
Ai në këtë post do të qëndrojë për katër vjetët e ardhshëm.
Para delegatëve, Limaj përmendi një nga themeluesit e kësaj partie, Jakup Krasniqin, për të cilin tha se shpreson që shpejt të kthehet i lirë në Kosovë.
“Sot vijmë në kuvend të rikthyer fuqishëm në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe unë pres që organet që do të dalin nga këtu, edhe Këshilli Kombëtar edhe kryesia të vazhdojnë fuqishëm në një etapë të re, të fuqizimit të mëtutjeshëm të Nisma-s Socialdemokrate. Edhe sot si në kuvendin e kaluar na mungon një nga themeluesit kryesor të kësaj partie, baca Jakup dhe shpresoj që shumë shpejt do të jetë këtu… Besoj që edhe kjo që ka ndodhur deri më tani është e jashtëzakonshme por po shpresojmë që shumë shpejt do ta kemi në mesin tonë për të dhënë angazhimin e tyre”, deklaroi ai.