×
  • Lajme
  • Lajme

    “Faton hajni e Ujkan hajni”- Si po e shijojnë lirinë të rrezikshmit që kryej vrasje e plagosje të policëve

    Insajderi
    13 July 2024 - 12:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy hajna të mëdhenj të Kosovës tashmë gjenden në liri. Këtë ia ka mundësuar kontrolli i dobët i burgjeve gjatë pushtetit të Kurtit.

    Tashmë hajnat e rrezikshëm po i gëzojnë benefitet nga mundesa e sistemit të fortë. Janë duke u tallur me shtetin e Kosovës dhe po kyçen live në Tik Tok, duke përfituar edhe para nga dhuratat që iu dërgojnë ndjekësit e tyre.

    Por, si u bë që dy hajnat e rrezikshëm ndër më të famshmit në Kosovë ikën nga burgu?

    SHKK javën e kaluar ka njoftuar se i dënuari Faton Hajrizi është larguar nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur. Ai është i dënuar për vrasjen e një ushtari rus, kishte hyrë në burg në moshën 15-vjeçare.

    Kjo është hera e nëntë që ai ik nga burgu.

    Për arratisjen e tij ka njoftuar edhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku në njoftimin e tyre u bë e ditur se janë suspenduar dy persona, oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A.

    Faton Hajrizi dyshohet se u arratis gjatë periudhës kohore nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 07:00.

    I arratisuri më i famshëm në Kosovë arriti që fillimisht t’i shfrytëzojë çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur.

    Brenda javës u arratis edhe një i burgosur tjetër i rrezikshëm. Ujkan Metaj i dënuar me 11 vjet burgim është arratisur sot nga Burgu i Dubravës.

    Emri i Ujkan Metajt është i njohur edhe në rastin e vrasjes së policit, Izmet Demaj. 

    Ismail Dibrani, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues i Kosovës, tha sot se dy të arratisurit nga burgu, Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj, e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit të vikendit në shtëpi.

    Akuzat për grabitje e plagosje të policëve ndaj Metajt dhe Hajrizit

    Dy të arratisurit kanë histori grabitjesh e madje edhe plagosje të policëve. Hajrizi ishte arratisur disa herë nga burgu dhe ka kryer vepra penale.

    Në korrik 2007, ai ishte arratisur nga Burgu i Dubravës, së bashku me gjashtë të burgosur të tjerë, të dënuar për krime të rënda.

    Pasi kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit ishin pritur nga persona të tjerë, të cilat kanë filluar të shtënat kundër rojave të burgut. Pas hetimeve ishin arrestuar disa punonjës të Burgut të Dubravës dhe disa persona të tjerë që dyshohej se kishin ndihmuar arratisjen.

    Pak muaj pas arratisjes, në shtator 2007, kishte ndodhur një grabitje me armë në Drenas, ku katër persona me armë dhe maska kishin grabitur një argjendari dhe gjatë ikjes kishin plagosur me armë zjarri dy policë dhe pronarin e dyqanit.

    Vlera e arit të grabitur ishte rreth 63 mijë euro. Gjatë vazhdimit të kërkimit të grabitësve, në fshatin Bruznik-Vushtrri, një patrullë e policisë kishte tentuar ta ndalojë një veturë të dyshuar. Të dyshuarit nga ajo veturë kishin shtënë në drejtim të policisë dhe kishin plagosur me armë zjarri dy policët dhe kishin arritur për të ikur në këmbë.

    Dyshohet se të njëjtit kishin kryer grabitjen dhe plagosjen në Drenas. Faton Hajrizi dhe Burim Basha ishin arrestuar në tetor 2007 në një shtëpi në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Gjatë bastisjes janë gjetur disa armë.

    Ndërsa Ujkan Metaj që u arratis dje nga Dubrava ishte dënuar me shtatë vjet burg në rastin e vrasjes së policit Izet Demaj

    Gjykata Themelore në Pejë gjatë 2019 e kishte dënuar me pesë vjet burg, të akuzuarin Ujkan Metaj, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj.

    Gjatë kësaj grabitje, gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarë të policisë, kishte mbetur i vdekur edhe grabitësi Kamer Metaj. Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, të akuzuarit Ujkan Metaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin nga 27 dhjetori 2018, e tutje, raportonte atëherë Betimi për Drejtësi.

    Por më pas Apeli ia shtoi edhe dy vjet, e që në plotëni ai për këtë rast u dënua me 7 vjet burgim Në bazë të këtij aktgjykimi është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i automjetit “Golf 4”, pronë e tani të ndjerit Kamer Metaj, një pushkë automatike “AK 47”, një granat dore “M-75” dhe një revole e tipit “Çeska”.

    Përndryshe ndaj Metajt ka ekzistuar edhe një aktakuzë për tentim vrasje. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2018, pretendohet se i akuzuari Ujkan Metaj, me 3 dhjetor 2017, rreth orës 11:25, në afërsi të fshatit Rakosh, Komuna e Istogut, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Bajram Sadrijaj, në lidhje me detyrën zyrtare të tij, dhe e ka vu në rrezik jetën e personave të tjerë, dhe atë të dëmtuarit Sokol Januzaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark