Faton Peci, ministër i Bujqësisë i ka dhënë grant bashkëpartiakut të tij, Bahtijar Berishës, në projektin mbi 84 mijë euro për ndërtimin e tri vilave në Komunën e Dragashit. Ky projekt u miratua nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila vendosi të financojë 60% të kësaj shume. Periskopi ka siguruar dokumentet e fotot, ku anëtari i kryesisë së partisë me të cilën udhëheq Faton Peci e Donika Gërvalla, ka ndërtuar tri vilat me nga 5 shtretër, 2 dhoma gjumi, banjo dhe dhoma të ndenjës.
Projekti për ndërtimin e tri vilave i cili kap vlerën e mbi 84 mijë euro, u miratua nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
Bahtijari aplikoi në AZHB për këtë projekt, e ku nuk e pati të vështirë që të financohet me rreth 50 mijë euro për ndërtimin e këtyre vilave, raporton Periskopi.
“Pas kontrollës administrative, kritereve të vlerësimit dhe kontrollës së parë në terren, projekti juaj i plotëson kriteret për fillimin e investimeve sipas UA Nr. 04/2022. Pranohen për investim pikat e cekura sipas: Përshkrimi të blerjeve përmes projektit dhe bazuar në Listën e investimeve të pranueshme të sektorit, me vlerën e kërkuar në projekt apo llogaritur në bazë të çmimores së AZHB’së, si në vijim:
1. Shtëpiza malore druri për ofrimin e shërbimeve të akomodimit, 3 shtëpiza me nga 5 shtretër, 2 dhoma gjumi, banjo dhe dhoma e ndejës secila sipas skicave dhe paramasës, me vlerë: 84,170.00 euro”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e lëshuar nga AZHB.
Biznesi i Bahtijar Berishës, me të cilën aplikoi për këtë grant në AZHB
Periskopi ka siguruar edhe fotot gjatë kohës së ndërtimit të këtyre vilave:
Një afërsi me Bahtijar Berishën, shihet që përveç Pecit, e ka edhe Presidentja Osmani (themeluese e Listës Guxo), e cila nuk ka hezituar ta promovojë atë gjatë një vizite në Dragash.