Ministria e Bujqësisë në krye me Faton Pecin ka kërkuar asistimin e Policisë së Kosovës lidhur me lirimin e dy pronave kadastrale. Atë të pompës së derivative “Patroni” dhe “Liria FC”. Në bazë të një vendimi të lëshuar nga kjo ministri, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, aksioni pritet të ndodhë sot, më 1 shkurt.
Në vendimin që ka siguruar nga Insajderi, thuhet se N.T.SH “Patroni”, pronë e biznesmenit milioner Habib Morina, ka pasur kontratë deri në përfundim të 2023’ës për shfrytëzimin me qira të kësaj prone.
“…Pra Patroni nga data 01.01.2024 është dashur ta liroj pronën në fjalë nga njerëzit dhe sendet për shkak se i ka skaduar kontrata. Për lirimin e kësaj prone brenda afatit N.T.SH. Patroni është njoftuar tri herë dhe atë përmes shkresës së datës 10.10.2023 nr.2057/2…”, thuhet në arsyetimin e vendimit të dikasterit të Bujqësisë.
Me të njëjtin arsyetim Ministria e Bujqësisë ka marrë vendim për lirimin e pronës së pompës së derivateve N.T.SH. “LIRIA FC”.
Për këtë, ministri Peci ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Gazeta Insajderi në fund të vitit të kaluar raportoi për bizneset e Habib Morinës në këtë pronë kadastrale.
Biznesi i tij është në hyrje të Prishtinës. E ka bash përballë Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. Shet naftë e ka restorant. Krejt këtë afarizëm biznesmeni Habib Morina nga Malisheva, pronar i firmës së karburanteve “Patroni” e bënte në tokë të shtetit për të cilën ka paguar veç 500 euro qira në muaj.
Gazeta Insajderi e kishte pyetur kompaninë “Patroni” dhe pronarin e saj, Habib Morina se si erdhi deri të sigurimi i kontratës me Ministrinë e Bujqësisë për këtë hise toke të shtetit, dhe se nëse ka pasur konkurs publik, apo se si është përzgjedhur bash ky pozicion, por as pas shumë javësh pritjeje, ata nuk kanë pranuar që të komentojnë. /Insajderi.org/
Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin: