×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Favorizohet në tenderin milionësh nga ministria e Sveçlës- Kush është kompania që e lavdëroi Kurti publikisht?

    Insajderi
    21 May 2024 - 15:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania “Ego Elsa” që kryeministri Albin Kurti e lavdëroi për punën në renovimet në Klinikën e Onkologjisë në QKUK del të jetë kompani e favorizuar nga pushteti. Ministri i  Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dyshohet se e kishte favorizuar operatorin e njëjtë për tenderin milionësh për targa. Ndaj këtij tenderi ishin adresuar shtatë ankesa në OSHP. Ankuesit denoncojnë publikisht për veprime penale nga zyrtarët e prokurimit të MPB’së. Insajderi sjell prapaskenat e këtij tenderi derisa me të u shpërblye firma e lavdëruar nga Kryeministri Kurti

    Gazeta Insajderi

    Kryeministri, Albin Kurti mori pjesë në përurimin e Klinikës së Onkologjisë në QKUK par renovimit. Në fjalimin e tij Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për operatorin ekonomik “Ego Elsa” Sh.p.k.

    Sipas Kurtit, kompania e lartcekur ka bërë punë edhe jashtë kontratës. “operatori ekonomik e ka gëlqerosur edhe për jashtë, ndonëse kjo nuk ka qenë në kontratë”, tha Kurti gjatë përurimit.

    Kurti nuk ndaloi me kaq. Ai, thotë se kompania e ka përfunduar punimet një muaj e gjysmë para kohës.

    Krejt në fund operatori ekonomik “Ego Elsa” e ka pasur kontratën për përfundimin e punimeve në javën e parë të korrikut, e ka përfunduar një muaj e gjysmë më herët, për çfarë i falënderojmë publikisht”, tha ai.

    Fjalimi i Kurtit vjon edhe me komplimente të tjera lidhur me punën që ka bërë ky operator duke thënë se “nuk e kisha ditur se në cilën klinikë jam”.

    Prokurimi i ministrisë së Sveçlës favorizoi EO “Ego Elsa” duke manipuluar me tenderin tenderin 2.6 milionësh të targave

    Operatori ekonomik “Ego Elsa” kishte pas telashe të mëdha për të fituar tenderin prej 2.6 milionë eurosh për targa nga Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga Xhelal Sveçla.

    Më shumë se një vit zvarritje, OSHP ka vendosur që të lë në fuqi vendimin e MPB’së për t’i dhënë tenderin milionësh koncorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar” nga Shkupi me një ofertë prej mbi 2.3 milionë eurosh.

    MPB kishte eliminuar nga gara 9  kompani ku prej tyre ka konsideruar të suksesshëm vetëm koncorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar”.

    Ky tender milionësh, që u nis me qëllim të përzgjedhjes së një kompanie që të furnizonte me targa për mjetet motorike në vend, ka kaluar në aq shumë procedura sa që vetëm në Organin Shqyrtues të Prokurimit janë deponuar 7 ankesa.

    Cilat ishin ankesat e OE lidhur me zyrtaret e prokurimit të MPB që dyshohet se favorizuan “Ego Elsa”

    Njëra nga ankesat e bëra me 19 tetor 2023 në OSHP ishin fokusuara tek çmimi i ofruar.

    “Me vendimin e tillë të AK (MPB-së) dëmtohet buxheti i Kosovës për më shumë se 200,000.00 Euro dhe rrjedhimisht shkelet haptazi dhe me dashje kjo dispozitë ligjore”, thuhet në këtë ankesë.

    Sipas ankuesit, UD i Zyrtarit Përgjegjës i Prokurimit në MPB,  “Agim Islami ka marrë vendim për dhënie të kontratës në kundërshtim flagrant të procedurave”.

    Kjo sipas ankuesit është pasi që ai vet, personalisht, ka vlerësuar tenderin “dhe duke nxjerr vendim arbitrar për të shpallur fitues një OE për të cilin është e faktuar se është i papërgjegjshëm dhe gjithashtu është me i shtrenjtë se oferta jonë për mbi 200,000.00 euro”.

    “I njëjti (Agim Islami) de-facto ka shërbyer si anëtar i komisionit vlerësues dhe atë si “anëtarë i vetëm”, duke injoruar rekomandimin e Komisionit Vlerësues ashtu që ka bërë vlerësim dhe ekzaminim të ofertave të Operatorëve Ekonomik në kundërshtim me kompetencat që ka me Rregullore… dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesë.

    Ankuesi në këtë dokument publik, denoncon njeriun kryesor, aktualisht, të tenderëve në MPB për vepër penale.

    “Ky tejkalim i kompetencave nga ana e zyrtarit përgjegjës përbën vepër penale të Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare, sepse ka tejkaluar kompetencat e tij për qëllim te caktuar qe t’i sjell përfitim të paligjshëm një operatori ekonomik i cili është i papërgjegjshëm dhe në anën tjetër ka për qëllim të na dëmtoj neve si Operator Ekonomik të përgjegjshëm dhe buxhetin e Republikës së Kosovës për një shumë prej mbi 200,000.00 Euro”, thuhet në ankesë.

    LEXO Hulumtimin e Insajderit : 10 muaj zvarritje, 7 ankesa e akuza për dëmtim buxheti- historia e tenderit milionësh për targat

    Kush është kompania “Ego Elsa” që po favorizohet nga pushteti?

    Kompania “Ego Elsa” është angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë edhe gjatë viteve të kaluara në QKUK.

    Kompania “Ego Elsa” e cila  mirëmbante oksigjenin në QKUK kishte fituar tender mbi 770 për zgjerimin e rrjetit.

    Në verë, kjo kompani ka bërë adaptimin e hapësirës për angiograf për Klinikën e Neurologjisë në QKUK. Në dhjetor të vitit 2022 e ka bërë innstalimin e sistemit te gazrave mjeksore në QKUK. Më herët, kjo kompani është angazhuar edhe në lëshimin në funksion të sistemit qendror të furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e Klinikës Infektive.

    Kompania “Ego Elsa” në ARBL është e regjistraur në emër të Egon Hoti.

    .

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark