Ndeshja Serbi – Zvicër, e cila luhet në kuadër të Ligës së Kombeve, po pritet me shumë interesim.
Ky takim do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:45 në Leskovc të Serbisë.
Përfaqësuesja e Zvicrës, që për kapiten e ka Granit Xhakën, është mbledhur të hënën, njëjtë si përfaqësueset e tjera evropiane. Zvicra nuk planifikon stërvitje në Leskovc.
Të premten prej orës 11:00 helvetikët ushtrojnë në St. Gallen, ndërsa në ora 16:00 udhëtojnë për në Nish.
Në ora 19:15 në Leskovc, Zvicra mban konferencë për shtyp në të cilën do të jenë përzgjedhësi Murat Yakin dhe një lojtar.
Por gjasat që të jetë kapiteni Xhaka nuk janë shumë të mëdha, për shkak të kaluarës së tij në ndeshjet me Serbinë.
Xhaka e Xherdan Shaqiri kanë udhëhequr Zvicrën në fitoret spektakolare ndaj Serbisë në dy Botërorët e fundit. Dhe janë goxha të urryer nga tifozët serbë edhe për mënyrën se si festuan.
Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar për masa të rrepta sigurie në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Ndër të tjera, Federata serbe ka njoftuar se do të lejohet vetëm hyrja me “simbole shtetërore” dhe ato të Federatës.
Pra, është bërë e qartë që nuk lejohen flamuj provokues ndaj Kosovës, për shkak të dënimeve që do të vinin nga UEFA.
Për flamuj provokues ndaj Kosovës e shqiptarëve, Federata serbe është dënuar së fundi në “Euro 2024” por edhe shumë herë më parë./Express