Federata e Xhudos e Kosovës ka reaguar pasi xhudisti Akil Gjakova është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Kjo federatë në reagimin e tyre thonë se dënojnë “fuqishëm” çdo formë dhune, teksa kanë thënë se besojnë në pafajësinë e xhudistit Gjakova, shkruan Gazeta Insajderi.
“Federata e Xhudos e Kosovës dënon fuqishëm çdo formë dhune dhe jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë. Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona”, thuhet në reagimin e tyre.
“Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë”, vijon njoftimi.
“Akili momentalisht ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe do të dorëzohet menjëherë tek organet e rendit dhe të drejtësisë në momentin që do të arrijë në Kosovë”, përfundon njoftimi.
Insajderi më herët kontaktoi të marrë një përgjigje nga kryetari i kësaj federate, Agron Kuka, mirëpo i njëjti refuzoi të përgjigjet. /Insajderi.org/