Dy moderatoret e njohura të Radio Televizionit të Kosovës janë larguar përkohësisht nga prezantimi i lajmeve në RTK.
Sipas informacioneve të siguruara nga Insajderi, bëhet fjalë për Fëllënza Çitaku dhe Alketa Gashi.
Largimi i tyre po ndodhë në periudhë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka shkruar në lidhje me këtë zhvillim, duke theksuar se ende nuk ka konfirmime zyrtare për arsyet e largimit, por ka sugjeruar se mund të jetë një vendim politik dhe joredaktorial.
Ajo shkroi gjithashtu se po pret konfirmimet e plota dhe faktet që mund të shpjegojnë më tej situatën, duke bërë të ditur se do të informojë publikun kur të ketë më shumë detaje.
Kusari ka shtuar se nuk do të publikojë emrat e moderatoreve pa pasur konfirmimin e plotë.
“Lidhur me zhvillimin, jam tu prite konfirmime rreth dy prezantuesve qe i kane largu nga emisioni i lajmeve ne RTK gjate fushates. I kam faktet qe deshmojne qe i kane largu ama orari nuk eshte final, nashta edhe ka ndodhe naj gabim teknik se gabimet ndodhin, if you know what I mean. Sigurisht qe ai vendim do te ishte vendim politik dhe joredaktorial, por po i pres faktet e plota me mi dergu, qe me ju informu drejte. Emrat e moderatoreve s’po ua publikoj pa e konfirmu plotesisht infon se s’ka kuptim”, shkroi ajo një postim në Facebook.
Theksojmë se Fëllënza Çitaku është bashkëshortja e kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, ndërsa Alketa Gashi është bashkëshortja e veteranit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu.
Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla ka thënë se “nuk është larguar askush nga detyra e moderimit të lajmeve”.
Ai shpjegoi për Express se gjatë fushatës zgjedhore, RTK krijon ekipe të dedikuara me gazetarë dhe prezantues më me eksperiencë për të menaxhuar dinamikën e fushatës, dhe se ndryshimet në ekip nuk kanë lidhje me arsye politike, por me menaxhimin efikas të burimeve.