Femrat e Forumit Rinor Islam, dega në Kumanovë, kanë shfrytëzuar 1 shkurtin, Ditën Botërore të Mbulesës (World Hijab Day) për të propaganduar veshjen e mbulesës apo shamisë si diçka e obliguar për femrat myslimane.
E themeluar në vitin 2013 nga aktivistja e islamit Nazma Khan e cila u zhvendos në New York nga Bangladeshi, Dita Botërore e Mbulesës ka për qëllim që të ftoj femrat islame që të vendosin shaminë së paku për një ditë.
E pikërisht këtë gjë e kanë bërë edhe femrat e Forumit Rinor Islam në Kumanovë, duke u mbledhur në sheshin e këtij qyteti për të shpërndarë fletushka dhe shamia duke i ftuar femrat që t’i vendosin këto mbulesa sipas dëshirës, raporton Insajderi.
“Dëshirojmë të përcillet mesazhi që mbulesa është e drejtë themelore e femrave myslimane sipas dëshirës së tyre dhe me këtë synojmë që të respektohet kjo gjë. Ka shumë vajza në Kumanovë që e bartin mbulesës dhe kjo është mënyrë që të sensibilizohet shoqëria jonë që ato të respektohen dhe të shihen njëjtë si gjithë të tjerat dhe të jenë të pranueshme”, tha njëra ndër organizatoret e kësaj ngjarje.
E këtë e kanë arritur, pasi sipas raportimit të televizionit lokal në Kumanovë Tv Festa, raporton Insjaderi, ka pasur femra që për herë të parë gjatë këtij organizimi kanë vendosur shaminë apo mbulesën.
“Është një aktivitet risi për Kumanovën dhe po pritet shumë mirë prej të rejave kumanovare. Zakonisht i kemi mbështetur femrat me mbulesë dhe tash pa komplekse po e vnojmë shaminë dhe po ndihemi shumë mirë”, thotë një nga vajzat që ka vënë shaminë për herë të parë.
Një tjetër vajzë që gjithashtu kishte vënë shaminë për herë të parë ditën e 1 shkurtit, tha se ndjehet mirë për këtë veprim, raporton Insjaderi.
“Pe ndi vetën shumë mirë me shami, po më pëlqen ky aktivitet dhe shpresoj që krejt femrat të ndihen mirë me shami”, tha ajo.