
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka kërkuar nga Kryeministri Isa Mustafa ta lirojë nga detyra deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë.
Në një komunikatë për media të dërguar nga Ministria e Ambientit, thuhet se Agani ka kërkuar të lirohet nga detyra deri sa të përfundojë procesi gjyqësor ndaj tij.
Agani është akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për keqpëdorim të pozitës zyrtare lidhur me rastin e njohur si “Stenta”.
“Duke pas parasysh ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit ndaj meje, i bindur në pafajësinë time të plotë përkitazi me çështjen që është subjekt i aktakuzës; në pajtim me parimin e qeverisjes së pastër pa asnjë dyshim në bartësit e funksioneve publike; dhe I përkushtuar që drejtësia të kryej punën e saj në mënyrë të papenguar, kërkoj nga Ju që të më lironi nga detyra e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri në momentin e shpalljes së pafajësisë sime të plotë”.
Ai më herët gjatë ditës ka thënë se nuk dëshiron që të punojë nën presionin e aktakuzës.
Tani i mbetet kryeministrit Isa Mustafa që përmes një vendimi të miratojë dorëheqjen e ministrit Agani./Insajderi.com