Edicioni i 73-të i Festivalit të Venecias u çel të mërkurën me muzikalin “La La Land”, një homazh i periudhës së madhe klasike të filmave amerikanë të këtij lloji. Ndër filmat që konkurrojnë në këtë festival, Gjermania ka financuar, përveç filmit të regjisorit Wim Wenders “Ditët e bukura të Aranjuezit” edhe dokumentarin “Voyage of Time: Life’s Journey” nga Terrence Malick (SHBA) që merret me origjinën e botës.
Filmi i ri “Frantz” i regjisorit francez François Ozon tregon për dashurinë mes një të veje gjermane që i kishte vdekur burri në luftë dhe një ushtari francez pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Me interes të madh pritet filmi i Ana Lily Amirpour, e vetmja grua në garë, nëse nuk marrim parasysh bashkëregjisoren e filmit “Spira Mirabilis”, Martina Parenti.
Regjisori serbo-boshnjak Emir Kusturica paraqitet me “On the Milky Road”, një film epope ku flitet për dashurinë në kohën e luftës në Bosnje. Ai tregon se çfarë mekanizmash qëndrojnë pas konflikteve të armatosura, se çfarë janë në gjendje t’i bëjnë njëri-tjetrit njerëzit në kohë të tilla dhe se si mund të shkatërrohet individi në luftë.