Federata e Futbollit e Kosovës, përmes një emaili adresuar mediave, ka njoftuar se sot do të prezentojë logon e re të Federatës e cila do të zëvendësojë atë të deritashmen të aprovuar nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në krye me Presidentin e ndjerë Fadil Vokrri, në mbledhjen e fundit të mbajtur rreth një muaj përpara se ai të ndërronte jetë.
Logoja e deritashme ishte përzgjedhur nga ekipi i profesionistëve të fushës së filmit, fotografisë dhe dizajnit:
Florent Kelmendi, Themelues dhe Drejtor i Teatrit Oda, regjisor dhe aktor i mirënjohur në Kosovë;Burim Myftiu, Specialist i Fotografisë Komerciale, i diplomuar në Institutin e Fotografisë në New York; Erodita Klaiqi, Master e Dizajnit Grafik.
Cmimi për logon fituese kishte qenë 1,500 euro.
Logoja fituese ishte njëra ndër katër logot e përzgjedhura nga Komisioni, e cila përfundimisht ishte aprovuar nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-se, i udhëhequr nga Presidenti i ndjerë Fadil Vokrri, i cili kishte këmbëngulur që logoja e Federatës së Futbollit të Kosovës të jetë vendim i një procesi transparent të përzgjedhjes, një konkursi brenda Kosoves dhe të jetë produkt i autorëve kosovarë.
Kjo kishte qene mbledhja e fundit e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së me Presidentin Fadil Vokrri përpara se ai të ndërronte jetë, ndërkaq vendimi për logon duket të ketë qenë vendimi i tij i fundit me ndikim publik.
Në mesin e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv i cili kishte aprovuar logon ishte edhe kryetari aktual Agim Ademi, atëherë nën-kryetar i FFK-së.
Logoja ishte punuar nga artisti Sali Musliu, piktor i mirënjohur kosovar i cili jeton e vepron ne Gjermani. Sali Musliu mban titullin Mjeshter i Artit nga Akademia e Artit ne Dusseldorf. Me ciklin e pikturave Deportacioni, Sali Musliu ka sensibilizuar publikun artdashës ndërkombëtar për temën e dhimbshme të deportimit të popullit të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999, dhe ka kontribuar përmes pikturave në përjetësimin e kujtimit të tragjedisë së Kosovës.
Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Sekretari i Përgjithshem, Eroll Salihu, në një deklarim për mediat dje, ka thënë se logoja e re është punuar nga ekipi i marketingut i UEFA-s. Në deklarimin e tij Salihu nuk e ka bërë të ditur arsyen e ndërrimit të logos.