Federata e Futbollit të Kosovës ka dërguar reagim në UEFA pas flamujve, sloganeve dhe thirrjeve ultranacionaliste të tifozëve serbë në ndeshjen Serbi-Angli në kuadër të Euro 2024.
Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë FFK’ja, ku thuhet se në ankesë janë dëshmitë e nevojshme teksa ka kërkuar nga shtëpia e futbollit masa të rrepta disiplinore ndaj Serbisë.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ka reaguar zyrtarisht në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes Serbi – Angli, në kuadër të Euro 2024”, thuhet në njoftim.
“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, vijon njoftimi.
“I bëjmë thirrje UEFA-së që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit”. /Insajderi.org/