
Tashmë është zyrtare, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit, do të luhet në praninë e vetëm 6500 tifozëve.
Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur të mbyllë një pjesë të stadiumit, pas incidenteve të shumta në ndeshjen e fundit të Serbisë kundër Anglisë.
Vendimi i Komitetit Disiplinor të FIFA-s renditi shkeljet e mëposhtme:
* pamundësia për të siguruar rendin dhe disiplinën brenda dhe përreth stadiumit,
* përdorimi i lazerëve dhe gjesteve, fjalëve dhe objekteve të papërshtatshme,
* ndërprerja gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare,
* sjellja diskriminuese e tifozëve individualë.
Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar edhe financiarisht. Stadiumi në Leskovc ka kapacitet prej 8136 vendesh, por për këtë takim do të lejohen vetëm 80 për qind e tyre. Në sfidën kundër Anglisë, e cila u luajt në Beograd përpara 40 mijë tifozëve, pati shkelje të shumta: Fyerje ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, fishkëllima ndaj himnit anglez, si dhe incidente të dhunshme të grupeve kriminale të afërta me pushtetin aktual serb.
Në atë ndeshje, ku Serbia u mund 5-0, pati edhe fyerje ndaj trajnerit Dragan Stojkoviç. FIFA ka paralajmëruar federatën serbe për dënime shumë më të rënda në rast se përsëriten incidente në sfidën kundër Shqipërisë. Pikërisht për këtë arsye, është zgjedhur stadiumi i vogël në Leskovc, në vend të ndonjë stadiumi më të madh në Beograd, duke synuar kontroll më të madh mbi shitjen e biletave dhe shmangien e grupeve që kundërshtojnë pushtetin e Aleksandër Vuçiç.
Gjithashtu konfidencialisht Top Channel ka mësuar se ky vendim ka patur edhe sugjeruimin nga FIFA që biletat të shiten të kontrolluara për shtresa të ndryshme sociale të shoqërisë ku kryesisht mendohet të jenë të rinj e fëmijë.
Ndërkohë për të gjithë tifozët shqiptarë që nuk do të jenë të lejuar të udhëtojnë dhe të jenë në stadium për të mbështetur djemtë kuqezi, ka menduar si gjithmonë Digitalb i cili edhe këtë ndeshje do ta sjellë drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht për tifozët e kombëtares.