Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka dhënë detaje shtesë lidhur me ndalimin e një personi në Leposaviq për vandalizimin e tabelave të komunikacionit në pjesët ku shkruhej në gjuhën shqipe.
Elshani në një prononcim për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se fillimisht u ndaluan katër persona në gjendje të dehur. Dy prej tyre iu shqiptua gjobë për dehje në ambiente publike, njërit për kundërvajtje (vandalizim) dhe një ka mbetur në cilësinë e dëshmitarit.
“4 persona i kemi ndalu fillimisht që të gjithë të dehur. Në fund 2 personave ju kanë shqiptu tiketa për dehje në vend publik, një i dyshimt për vandalizëm (kundërvajtje) dhe një ka mbet dëshmitar”, ka deklaruar Elshani për Insajderin.
Në raportin e sotëm 24 orësh, Policia ka njoftuar për një rast të vandalizmit në Leposaviq.
Aty thuhet se një shtetas i Serbisë dyshohet se ka dëmtuar dy shenja të trafikut.
“VANDALIZËM- Leposaviq / 16.03.2024 01:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull/s, shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se i ka dëmtuar dy shenja të trafikut. I dyshuari me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje”, u tha në njoftimin e PK’së. /Insajderi.org/