
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se punimet në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit janë në fazën përfundimtare, ku edhe mbrëmjen e sotme bypass-i do të jetë funksional.
Durmishi tha se bypass-i është përfunduar brenda një jave, dhe ka një rëndësi të madhe, pasi që mundëson që kompanitë t’i fillojnë punimet e sanimit të komplet kanalit.
“Për më pak se një javë është përfunduar komplet ky bypass. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ky devijim i ujit na mundëson që t’i fillojmë punimet për sanimin komplet të kanalit, pas shpërthimit që ka ndodhë para një jave. Për këtë është bërë një punë shumë e madhe edhe prej Ibër-Lepencit dhe prej kompanisë që është duke i realizuar punimet këtu. Një falënderim të posaçëm kam për këta punëtorë që po punojnë ditën edhe natën në kushte të vështira atmosferike, pa u ndalur asnjëherë që ne të kemi ujë të pandërprerë”, tha ai.
Ai tha se funksionaliteti i bypass-it mundëson që uji të qarkullojë pa asnjë ndërprerje.
“Bypass-i do të funksionalizohet qysh sonte dhe nuk do të ketë më ndërprerje të ujit për asnjë moment, do të ketë ujë të mjaftueshëm edhe për KRU-të edhe për KEK-un, në mënyrë që funksionalizimi i këtij bypass-i ta mundësojë edhe furnizimin e plotë me ujë për të gjitha nevojat e qytetarëve”, tha Durmishi.