Radio Evropa e Lirë raporton se tashmë ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ky medium, po ashtu raporton se kryeministri Kurti para se të fillojë takimi, ka biseduar me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Çfarë pritet të diskutohet në takim?
Dy temat kryesore që do të diskutohen në takimin e sotëm mes Kurtit e Vuçiq tashmë janë konfirmuar.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur se fokusi do të jetë te Asociacioni dhe deklarata për të pagjeturit, ndërsa do të shihet se për cilat çështje të tjera mund të diskutohet.
“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera.” – ka thënë zëdhënësi Stano.
Për këtë takim ka folur edhe emisari special i Bashimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka njoftuar se është takuar më parë me Kurtin për t’u përgatitur për këtë takim.