×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Fillon takimi pozitë e opozitë, të gjithë i përgjigjen ftesës së Kurtit

    Insajderi
    08 November 2022 - 08:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ka filluar takimi i kryeministrit Albin Kurti me liderët e opozitës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

    Ftesës për takim sot në mëngjes i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    I pasi në ndërtesë arrin kryeministri Kurti.

    Pas, Kurtit arriti edhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.

    Më pas erdhi edhe Haradinaj e Krasniqi.

    Lidhur me këtë ftesë ka shkruar ish-kryenegociatorja e Kosovës. Edita Tahiri ka thënë se është lajmi i mirë që kryeministri bëri një veprim të duhur duke ftuar opozitën në takim, të cilës opozita i është përgjigjur pozitivisht.

    “Gjendja e rënduar në veri tejkalohet me unitet, maturi dhe bashkëpunim me aleatet strategjik”, ka shkruar ajo.

    PDK dje përmes një letre publike ka shprehur gatishmërinë e saj për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë e Kosovës rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës për situatën në veri ka ftuar institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se Kurti po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale me njohje reciproke.

    Më 30 tetor, Qeveria mori vendim për zbatimin e vendimit për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.

    Plani i ri i Qeverisë së Kosovës, i publikuar më 28 tetor, pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

    Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

    Pas fillimit të zbatimit të fazës së parë të vendimit, përfaqësuesit serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeveri, Kuvend, gjyqësor , polici dhe Kuvendeve komunale në veri të vendit. Ndërkohë, dje kanë mbajtur edhe një protestë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark