
Filmi “Sofra e Varrit” përshkruan një pjesë të rëndësishme të luftës në Kosovë, ky film me një tematike mjaft të veçantë po prezantohet nëpër botë dhe po vlerësohet me çmime të rëndësishme artistike.
Filmi i metrazhit të shkurtër me regji të Mirak Zymberaj dhe skenar të Mentor Zymberaj, po vazhdon të shfaqet në kinematë botërore.
Së fundmi, filmi ka marrë edhe një çmim në “FERFILM International Film Festival”.
Në lidhje me këtë, regjisori Mirak Zymberaj ka treguar për Insajderin se pse zgjodhi ta trajtoj temën e luftës në film.
“Për mua është mjaft e rëndësishme tema e luftës, pasi që është pjesë e historisë tonë. Une mendoj se kjo vepër e realizuar në film është vetëm një cikërrim e asaj se çfarë ka ndodhur në vitin 1999. Ne artistët, në qasjen tonë profesionale duhet të shënojmë dhe të akcentojmë se atë vërtet çfarë ka ndodhur me popullin tonë, e jo t’i anashkalojmë”, u shpreh Zymberaj.
Ai tregoi për veçantinë e këtij filmi, dhe se cila ka qenë faza ma e vështirë e realizimit të këtij filmi.
“Veçantia e këtij filmi është në të gjitha segmentet artistike të realizuara në film, ajo se çfarë e bëri te veqantë dhe të suksesshem filmin ishte tema dhe origjinaliteti i filmit. Artistët gjithmonë kanë motivet dhe inspirimet e tyre. Nganjëherë vetë jeta jonë është skenar filmi. Faza më e vështirë e realizimit të gjirimeve të filmit ka qenë ku kemi gjiruar dhe punuar në kohë shumë të ftohtë në kohë të vjeshtës në bjeshkë si dhe ka qenë kohë pandemie.”.
I pyetur se nëse do ta xhironte sërish filmin, çfarë do të bënte ndryshe, ai tha se nuk do të ndryshonte asgjë.
“Nëse do ta xhiroja filmin nuk do të bëja asgjë më ndryshe. Ashtu si është”, tha për Insajderin Zymberaj.
Filmi “Sofra e Varrit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike ‘AKT’.