Prishtina International Film Festival këtë edicion do të ketë një juri ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit – FIPRESCI, e cila do të vlerësojë dhe përzgjedhë filmin më të mire të PriFest-it.
Kjo juri vjen në Kosovë, në një festival filmi, për herë të parë, ndërkohë që është prezente në shumë festivale të mëdha e rëndësishme në botë.
Fatos Berisha, drejtor artistik i PriFest u shpreh i kënaqur me këtë arritje, duke thënë që juria që do të vijë në PriFest është shumë profesionale.
“Këtë vit ata u ofruan që të sjellin jurinë e tyre në PriFest duke e vlerësuar seriozitetin e festivalit dhe kualitetin e programit. Kjo na bën shumë të lumtur sepse kjo juri është prezente edhe në shumë festivale të rëndësishme në botë, dhe tani e tutje do të jetë edhe në Kosovë dhe atë për të vlerësuar filmat në kategorinë e programit ‘Gjak e mjaltë’ (filmat nga Ballkani)”, tha Fatos Berisha.
Çmimi FIPRESCI jepet në festivale ndërkombëtare të filmit apo në festival të filmit të rëndësisë së veëantë.
Asambleja e Përgjithshme vendos në cilat festivale duhet të sjell jurinë e vet si dhe cila kategori e filmave do të vlerësohet nga kjo juri.
Juria e përzgjedhur nga FIPRESCI për festivalin Prishtina International Film Festival këtë vit do jetë e përbërë nga kritikët nga Izraeli, Holanda dhe Italia. /Insajderi.com