×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Financuesi i rrezikshëm i ISIS kthehet në Kosovë, promovon një biznes në Gjilan

    Insajderi
    25 July 2022 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një nga kosovarët e dënuar jashtë vendit për financim të terrorizimit tashmw është kthyer në Kosovë. Ka promovuar një biznes në qytetin e Gjilanit. Insajderi sjell detaje nga historia e tij, lidhjet me terrorizmin, që përmes personave që financoi, shkojnë deri tek Xhihadisti John, e deri te kthimi i tij në atdhe

    “Nëse do të kishte dhënë jetën për luftën, për territoret shqiptare, asnjë pikë loti nuk do të kisha derdhur”.

    Kështu kishte deklaruar në gusht të vitit 2014 Ramadan Matoshi. Ai po po fliste për djalin e tij, Patriotin që ishte raportuar se vdiq duke luftuar për ‘Kalifatin’, ose Shtetin Islamik në Irak e Siri (ISIS).

    “Para namazit të xhumas vllau ynë Patriot Matoshi vdiq (ra shehid ishaaAllah) nga plagët e rënda ndrroi (u godit nga një snajper) jetë luani i madhë i Kosovë dhë në çastet e fundit të jetës së tij, ishte duke bërë tekbir, Allahu subhaneu ue te ala e pranoft shehid dhe e bashkoft me pejgamberin (sala llahu alejhi ve selem) dhe me të gjithë shehidat në xhennetin firdeus.Allahume amin”.

    Kështu e kishin dhënë atë kohë lajmin faqet që përhapnin propagandën e ISIS-it.

    Patriot Matoshi ishte një nga personat që nuk do të kursehej në publikim të fotografive nëpër rrjete sociale sa ishte gjatë e pjesë e strukturave të ‘Kaliftit”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Një djalë i vrarë duke luftuar për ISIS-in nuk do të ishte fundi i historisë së fëmijëve të tij. Kastriot Matoshi, djali i tij tjetër do të përfundonte si emigrant i paregjistruar në Belgjikë.

    Atje u dënua po për financim të organizatës, për të cilën duke luftuar iu vra vëllai, Patriot Matoshi. Ai dhe gruaja e tij, Egzona Kamberi, siç raportojnë mediat belge, u gjetën fajtor për financim të ISIS-it.

    Kastriot Matoshi, tash është kthyer në Kosovë. Së fundmi ai madje ka promovuar një biznes, një piceri në qytetin e Gjilanit.

    “Nesër do të fillojmë punën… jeni të mirëseardhur”, kishte shkruar ai më 16 qershor të këtij viti për biznesin që e promovonte në një llogari të re të tij në facebook. “Classsico Hallall Food”, është emri i biznesit.

    Një muaj para se ta promovonte këtë biznes, në Regjistrin e Bizneseve ishte listuar kompania me emrin “Hallall Food Medina”, ku pronar ishte Ramadan Matoshi, derisa posta elektronike e biznesit ishte vendosur ajo e gruas së Kastriot Matoshit, Egzona Kamberi.

    Më 29 qershor 2022, me emrin “Classsico Hallall Food” është regjistruar edhe një firmë tjetër, që del të jetë në pronësi të Valon Shalës.

    Insajderi ka pyetur që të dyja këto firma, në kontaktet që kanë në dispozicion në publik, por deri në momentin e publikimit të shkrimit asnjëra nuk kanë komentuar këtë çështje.

    Insajderi e ka pyetur edhe Prokurorinë kosovare, për rastin e Kastriot Matoshit, por as ata nuk kanë komentuar.

    Policia e Kosovës në anën tjetër i ka thënë Insajderit se Drejtoria Kundër Terrorizmit, gjatë vitit 2015 ka zhvilluar hetime policore ndaj personit tij në drejtim të veprës penale “Organizim dhe Pjesëmarrje në grup Terrorist nga neni 143 i KPRK-së, mirëpo gjatë hetimeve të zhvilluara nuk janë arritur të sigurohen prova të mjaftueshme ndaj tij, në atë kohë.

    “Bazuar në informacione personi i njëjti ka qenë i arrestuar dhe dënuar nga autoritet Belge dhe i njëjti ka qenë në vuajtje të dënimit, pastaj nga Belgjika është depërtuar për në Kosovë në vitin 2020”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Insajderin.

    Rrjeti i dyshuar për financimin e ISIS-it

    “Rrjeti i dyshuar për financimin e ISIS-it”, është titulli që “Het Laatste Nieuws” i kishte vënë shkrimit kur po raportonte për dënimin e Kastriot Matoshit në vitin 2017.

    “Rasti për herë të parë doli në dritë më 6 dhjetor të vitit të kaluar (2016). Në atë kohë, në qytetin Sint-Niklaas u kryen disa kontrolle në shtëpitë e Mahid Dibrani dhe Kastriot Matoshit., të cilët kanë rrënjë kroate dhe kosovare. Disa të dhëna, duke përfshirë videot e prerjes së kokës, u gjetën atje në celularin e Mahidit. I njëjti kishte tentuar edhe disa muaj më parë të largohej për në Siri pasi ishte radikalizuar në një kohë të shkurtër nga një mik holandez. Kjo dështoi dhe ai u ndalua në kufi. Që atëherë ai është vëzhguar nga afër”, e tregonte historinë e këtij grupi portali HLN, transmeton Insajderi.

    Sipas këtij raportimi Kastriot Matoshi dhe gruaja e tij, Egzona Kamberi, e cila banonte ilegalisht në Beligjikë, u zhvendosën në Antwerp për të mbledhur para atje dhe për të menaxhuar fluksin e parave nga Belgjika në Siri.

    “Të tre ishin së bashku në një rrjet për të mbledhur para dhe njerëz për ISIS-in. U fol se paratë po devijoheshin për në Siri nëpërmjet organizatës bamirëse ‘IRDO’”, thuhet në këtë raportim nga gjyqi.

    Sipas raportit, ata i morën ato para në Antwerp nga Shqipe Imishit, një nënë, djali i së cilës Arben Imishti po luftonte për ISIN në zonat e konfliktit në atë kohë.

    Media belge raporton se të gjithë të dyshuarit ishin marrë në pyetje në gjykatë.

    Kastriot Matoshi raportohet se mbajti disa kontakte me njerëz të qarqeve të ekstreme dhe këtë e bënte përmes aplikacionit ‘Telegram’, ose mesazheve përmes ‘Skype’.

    Hetuesit gjetën po ashtu disa skedarë në kompjuterin e tij që jepnin të dhëna për rrjetin.

    “Kur Matoshi u mbyll në një qendër për emigrantët e paligjshëm, ai i telefonoi gruas së tij dhe i kërkoi të fshinte gjithçka në kompjuterin e tij. Matoshi gjithashtu shkoi dy herë në Antwerp me pasaportën e gruas së tij për të marrë paratë dhe për t’i transportuar ato në zonat e ISIS. Edhe këtu pranë tij qëndroi Mahid Dibrani. Bëhej fjalë për shuma prej 4150 euro dhe 5000 euro, të cilat vinin nga libreza e kursimeve të Shqipe Imishtit dhe ishin të destinuara si mbështetje për djalin e saj. Gruaja e Matoshit tha në gjykatë se nuk e dinte se nga vinin paratë”, shkruan në raportin e medias belege, raporton Insajderi

    Rrjeti i mbështetjes së ISIS-it në mes të Belgjikës, i bashkë-drejtuar nga gjilanasi

    Vetë Kastriot Matoshi, sipas medias belge, mohoi se ishte radikalizuar dhe se nuk e dinte se paratë ishin të destinuara për ISIS.

    Mahid Dibrani, i cili ndihmoi Matoshin të merrte dhe transferonte paratë, gjithashtu tha në gjyq se nuk e dinte se për kë ishin paratë dhe nga vinin. Ai pranoi në gjykatë se ishte radikalizuar dhe donte të shkonte në Siri.

    “Por ndërkohë kjo ka mbaruar, nuk e di se çfarë më futi apo pse doja të shkoja atje,”.

    Çështja tani është në shqyrtim të mëtejshëm dhe do të shqyrtohet më tej vitin e ardhshëm. Ende nuk ka pretendime nga Prokuroria Publike.

    Në shkurt të vitit 2018 media belge ‘Nieuesblad’ raportoi për verdiktin e gjykatës për Kastriot Matoshin e gruan e tij, Egzona Kamberi.

    Historinë e nis duke treguar se si në fund të vitit 2016, një shtëpi me tarraca në lagjen ‘Beekstraat’ në qytetin Sint-Niklaas doli të ishte qendra e një rrjeti lokal terrorist.

    “Kastriot Matoshi krijoi disa llogari në Facebook nga atje në të cilat lavdëroi ISIS-in, kaloi orë të tëra në telefon me komandantin e njësisë së Ballkanit të ISIS, kanalizoi para për luftëtarët sirianë dhe rregulloi dokumente udhëtimi dhe rrugë kontrabande për ata që donin të largoheshin për në zonë lufte. Shtëpia e tij shërbeu gjithashtu si një vendstrehim për luftëtarët dhe simpatizantët e ISIS”, thuhet në këtë raportim.

    “Ai është një mbështetës i ISIS-it që i ka ofruar ndihmë kësaj organizate terroriste”, vendosi gjykatësi Vincent Roelants.

    “Gruaja e tij Egsona Kamberi (24 vjeçare) ishte në dijeni të gjithçkaje. Ata nuk kishin sekrete nga njëri-tjetri”, raporton‘Nieuësblad’ dhe tregon se Kastriot Matoshu u dënua me 54 muaj burg, derisa “gruaja e tij duhet të kalojë dy vjet pas hekurave”.

    Mahid Dibrani (28 vjeç) nga Sint-Niklaas po ashtu udhëtoi për në Siri së bashku me zonjën e tij të radikalizuar marokene me shpenzimet e Kastriot Matishit.

    Megjithatë, ata nuk arritën të kalonin kufirin. Këngët e betejës, një video stërvitore dhe dokumente të ISIS-it u gjetën në telefonin e Mahid Dibranit. Gjatë kontrollit të tij, hetuesit gjetën edhe një flamur, një filxhan kafeje dhe një çantë shpine me logon e ISIS.

    Gjatë gjyqit të tij, Dibrani pretendoi se që atëherë ai ishte deradikalizuar. Ai gjithashtu këmbënguli se nuk donte të luftonte në Siri, por të mësonte Kurannin.

    “Mahid Dibrani i përkiste grupit të njerëzve të radikalizuar në Sint-Niklaas”, vendosi gjyqtari. Ai gjithashtu huazoi dokumentet e tij për të transferuar para për luftëtarët sirianë”, raporton media begle, transmeton Insajderi

    Mahid Dibrani u dënua me katër vjet burg në vitin 2018.

    Ndërlidhja me Xhihadisti John

    Media belge raporton se kur u dënuan Matoshi, Kamberi e Dibrani, Shqipe Imishti (62 vjeçe) nga Schoten ishte në gjyq sepse ajo transferoi para nëpërmjet Kastriot Matoshit te djali i saj dhe luftëtari i ISIS, Arben Imishti.

    “Imishti ishte vrarë në front, por ende mund të shihej para vdekjes së tij në një video të prerjes së kokës, së bashku me xhelatin famëkeq. Xhihadi John. Në vendin tonë ai kërkohej për vrasje terroriste”, thuhet në këtë raport nga gjyqi.

    Shqipe Imishti në vitin 2018 ishte dënuar me 12 muaj me kusht.

    “Ajo e dinte se djali i saj po luftonte për ISIS dhe ka vazhduar ta mbështesë atë”, e arsyetoi kështu vendimin gjykatësi belg, transmeton Insajderi.

    Mohammed Emëazi i lindur në gusht 1988 ishte një militant britanik i lindur në Kuvajt që besohet të jetë personi i parë në disa video të prodhuara nga ISIS duke shpërfaqur haptazi prerjen e kokave të të burgosurve si metodë terrori.

    Një grup pengjesh të tij e quajtën atë “John” pasi ai ishte pjesë e një celule terroriste me katër persona me theks angleze, të cilët i quanin “The Beatles”.

    Më vonë ai do të njihej vetëm si “Xhihadisti John”.

    Më 12 nëntor 2015, zyrtarët amerikanë raportuan se Emëazi ishte vrarë nga një sulm me dron në Raqqa, Siri. Vdekja e tij u konfirmua nga ISIS në janar 2016.

    Po në lidhje me Arben Imishtin, që ishte shfaqur në një video bashkë me të famshin Xhihadi John, u dënua në Belgjikë edhe motra e tij, 35 vjeçare në atë kohë.

    Ajo mori tetë muaj burg pasi që ia dha paratë nënës së saj për t’ia dërguar ato Arben Imishtit e që puna shkoi përmes rrjetit që e kishte krijuar gjilanasi, Kastriot Matosho, gruaja e tij, Egzona Kamberi e Mahid Dibrani. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark