×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Firma e biznesmenit që Kurti e lartësonte futet në listë të zezë nga gjykata e tenderëve- falsifikoi dokumente në një tender të policisë

    Insajderi
    30 October 2024 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), institucion i njohur ndryshe si “Gjykata e Tenderëve”, ka vendosur në listë të zezë firmën “Top Soft Papers” në konzorcium me “Ajani&Adami”. “Top Soft Papers” me pronar Burim Karaçicën bashkë me “Ajani&Adami” dyshohet se kishte prezantuar dokumente të falsifikuara kur kishte ofertuar për një tender të Policisë së Kosovës, për të cilin e kishte fituar. Bëhej fjalë për një tender në vlerë të parashikuar prej afro 150 mijë eurove për furnizim me material higjienik. Pas ankesës së një operatori ekonomik, tenderi ishte pezulluar e më pas ishte anuluar. OSHP kishte gjetur se ky grup i operatorëve ekonomikë kishin përdorur etiketa të produkteve pa pëlqimin e ‘PMK Inxhiniering’. Firma e biznesmenit Karaçica kishte qenë përfituese e subvencionimit të kredisë investuese. Kurti me Muratin e kishin vizituar vjet fabrikën e Karaçicës, ku e lavdëronin këtë të fundit se nuk kishte pagë nën 500 euro për 24 punëtorë.

    Besnik Gashi

    Policia e Kosovës në tetor të vitit të kaluar kishte ri-shpallur tender me procedurë të hapur për furnizim me material higjienik. Vlera e parashikuar e kontratës ishte përafro 150 mijë euro. Aty parashihej që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmimin më të ulët.

    Ofertuesi me çmimin më të ulët ishin operatorët ekonomikë “Top Soft Papers” në konzorcium me “Ajani&Adami”. Ata ofronin 24.28 euro, kurse vlera më e lartë për njësi ishte 121.53 sosh, raporton Insajderi.

    Zyra e Prokurimit të policisë kishte vendosur që tenderin në bazë të kriterit me çmimin më të ulët t’ia jepte firmës së biznesmenit Karaçica në konzorcium me “Ajani & Adami”.

    Megjithatë, njëri nga ofertuesit konkurrentë kishte dërguar ankesë në Gjykatën e Tenderëve. Ata pretendonin se konzorciumi kishte prezantuar pranë autoritetit kontraktues dokumente të falsifikuara. Bëhej fjalë për dy etiketa të produkteve, të cilat ishin emituar kinse janë të firmës ‘PMK Inxhiniering’.

    AK-ja (Autoriteti Konktraktues) ka sqaruar se komisioni i vlerësimit fillimisht e ka rekomanduar për kontratë konzorciumi Ajani&Adami & Trofta soft papers L.L.C Sh.p.k, dhe pas publikimit të vendimit B58 kemi pranuar kërkesë për qasje në dokumentacion zyrtar nga një operator ekonomik i cili ka parashtruar si pretendim çështjen e falsifikimit te etiketave te produktit. AK-ja e ka aprovuar kërkesën per rishqyrtim te operatorit ekonomik dhe njëherit gjate rivlerësimit e ka verifikuar tek prodhuesi çështjen e etiketave te produkteve te dorëzuara nga konzorciumi Ajani&Adami & Trofta Soft papers L.L.C Sh.p.k”, thuhet në vendimin e OSHP’së.

    Kësisoj, Policia e Kosovës iu është drejtuar përmes emailit prodhuesit ‘PMK Inxhiniering Prokim’ për t’i pyetur për etiketat për të cilat njëra nga firmat konkurrente pretendonte se është e falsifikuar. Nga kjo firmë thonin se s’kanë autorizuar asnjë kompani për të bërë mbishkrimin e dy mostrave që ishin dërguar nga operatorët ekonomikë fitues. Për këtë, ata paralajmëronin inicim të procedurës gjyqësore lidhur me rastin.

    Përmes këtij emaili, kompania PMK. Inxhiniering Prokim, Lipjan, deklaron se nuk është prodhues i këtij produkti siç është paraqitur në foto në emailin e juaj paraprak… Po ashtu, ne nuk kemi autorizuar asnjë kompani për të bërë mbishkrimin sikurse në foto, dhe si të tilla janë bërë pa lejen dhe dijeninë tonë. Sipas fotove, vërehet që mbishkrimet në produkt janë modifikuar për t’u përshtatur me kërkesat në prokurim, por duke përdorur emrin e kompanisë tonë pa lejen tonë paraprake”, thuhet në shkëmbimin e emaileve mes policisë dhe prodhuesit.

    Si rezultat i dëmtimit të imazhit të kompanisë, kërkojmë të njoftohemi se cila kompani ka keqpërdorur emrin e kompanisë, ndaj të cilës do të iniciohet procedurë gjyqësore sipas ligjeve në fuqi në Kosovë për dëmtim imazhi, kopjim, mashtrim dhe emitim të produktit“.

    Këto pretendime i kishte mohuar kategorikisht “Ajani&Adami” dhe “Top Soft Papers”, duke pretenduar se prodhuesi në këtë rast ka pasur presion nga disa operatorë ekonomikë lidhur me deklarimet që kishte dhënë.

    Sidoqoftë, Gjykata e Tenderëve i ka dhënë të drejtë ankesës, duke anuluar aktivitetin e prokurimit. Kësisoj, ka marrë vendim që të dy operatorët ekonomikë të futen në listë të zezë “Ajani&Adami” dhe “Top Soft Papers” për gjashtë muaj. Pra, nga 24 tetori i 2024-ës deri më 23 prill të 2025-ës.

    Të njëjtit në sqarimin e tyre për Insajderin kanë bërë të ditur se ka lidhur marrëveshje për përkrahje të “Ajani&Adami” për të plotësuar kriterin e qarkullimit vjetor të kompanisë në vlerë prej 60 mijë eurove.

    Për hir të korretësisë ju informojë se Top Soft Papers ka lidhur marrëveshje për përkrahje të kompanisë Ajani & Adami Sh.P.K në ofertimin e tyre në tenderin me numër të prokurorimit 214-23-10768-1-1-1, ku autoriteti kontraktues është Policia e Kosovës. Top Soft Papers SH.P.K në bazë të marrëveshjes do të përkrahë kompaninë ofertuese Ajani & Adami Sh.P.K për të plotësuar kriterin e qarkullimit vjetor të kompanisë në vlerë prej 60.000 euro, kriter ky i kërkuar në bazë të procedurës së lartëcekur si dhe për nevoja të kësaj kontrate do të furnizojë kompaninë Ajani & Adami SH.P.K, me produktet e saj që janë letër higjenike dhe paloma të ndryshme. Top Soft Papers SH.P.K merr përsipër të gjitha përgjegjësitë vetëm për kualitetin e produktit të tij”, thuhet në sqarimin e tyre.

    Si e lartësonte vjet Kurti firmën e biznesmenit Karaçica?

    Kryeministri Kurti në gusht të vitit që shkoi kishte vizituar bashkë me ministrin e Financave biznesin “Top Soft Papers”. Shefi i Qeverisë njoftonte se ky biznes kishte përfituar subvencionim të kredisë investuese.

    Bizneset e vogla e të mesme janë në fokus të qeverisë sonë sepse ato përbëjnë shumicën dërrmuese të punësimit në Republikën e Kosovës në sektorin privat. Fabrika e letrave pastruese higjienike, “Top Soft Papers” është njëra prej tyre, e cila përveç vëmendjes sonë sot ka fituar edhe mbështetjen tonë përmes masës 2.1 – Subvencionim i Kredisë Investuese”, kishte deklaruar shefi i Qeverisë.

    Ai lartësonte biznesin e Karaçicës, duke thënë se kjo kompani ka 24 punëtorë, ku 80 për qind e tyre janë që nga dita e parë e prodhimit. Në të njëjtën kohë thoshte se paga mesatare është mbi 500 euro dhe se nuk ka pagë nën 400 euro tek ta.

    E falënderojmë pronarin Burim Karaçica për këtë mikpritje por gjithashtu edhe për shpjegimin e procesit të prodhimit dhe për gatishmërinë e tij që ta rris prodhimin e vetë që i ndihmon edhe atij vetë si ndërmarrës por natyrisht edhe ekonomisë së Kosovës nëpërmjet tatimeve që ia bën këtij biznesi shteti dhe e rrit buxhetin por gjithashtu edhe nëpërmjet rritjes së punësimit që e zvogëlon barrën sociale për shtetin tonë“.

    Për Kurtin, firma e biznesmenit kishte përgatitur një surprizë të vogël: Portretin e tij në pallomë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark