×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Fitues në tenderin 8 milionësh, takim me Kurtin – Si e fuqizoi Qeveria Kurti fajdexhiun e famshëm, mikun e Agim Veliut?

    Insajderi
    16 August 2024 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Kurti me bujë e përuroi pardje nisjen e rrugës Prizren-Tetovë. Pardje e vizitoi vendpushime dhe e postoi një video. Nikoqir aty ishte njeriu që ishte arrestuar për fajde në vlera milionëshe. Gëzim Sinani, miku i Agim Veliut. Sinani që shihet krahë për krahu me Kurtin, Aliun e Durmishin është pjesë e fituesve të tenderit afro 8 milionësh të Qeverisë Kurti.

    Insajderi sjell prapaskenat e këtij tenderi dhe se si u bë që Qeveri Kurti ta fuqizonte njeriun e Veliut të akuzuar për fajde.

    Parim Olluri

    Rruga 30 milionëshe Prizren-Tetovë me të cilën po krenohet Qeveria Kurti, ka edhe anën e errët të saj.

    Janë fituesit e tenderit të ndarë në llote. Më i dyshimti është lloti i parë. Peshon afro 8 milionë euro.

    Para dy ditëve, të mërkurën, ndodhi një zhvillim i çuditshëm që askush nuk e kishte imagjinuar.

    Kurti doli në terren për të vizituar punimet. Opozitarin e dikurshëm që premtonte luftë ndaj krimit e korrupsionit e priti në emër të kompanisë kontraktuese një person i famshëm për fajde.

    Kurti nuk e hoqi atë nga videoja e vizitës. Postoi pritjen nga ai në faqen zyrtare në Facebook. Por, nuk ia përmendi emrin nikoqirit.

    Por, kush është ai?

    Është Gëzim Sinani. Ishte në paraburgim të zgjatur para disa muajve. Për fajde. është i dyshuar për përfshirje të rëndë në këtë veprimtari kriminale. Dyshohet se e ka rrjepur një afarist nga Prishtina. Arrestimi i tij kishte bërë bujë të madhe.

    Pse Gëzim Sinani ishte në vend-punishte?

    Ai nuk doli rastësisht aty. Firma “Premium Beton”, është pjesë e konzorciumit që fitoi këtë tender në vlerë afro 8 milionë eurove. është në emër të familjarit të tij, Granit Sinanit.

    Po ashtu, Graniti figuron edhe si person i autorizuar i kompanisë që është lider i konzorciumit fitues të tenderit. Konkretisht përfaqëson firmën e krijuar nga oligarku nga Shqipëria, Bashkim Ulajt, por që zyrtarisht është në pronësi të Ardit Metaliaj.

    Si njëri, si tjetri janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme atje- SPAK.

    Mbetet e paqartë se pse firmat fituese përfaqësohen zyrtarisht në letra nga familjari i Gëzim Sinanit, ndërsa në terren Kurti dhe kabineti i tij priten publikisht nga i dyshuari për fajde.

    Detaje të aktakuzës ndaj Sinanit dhe shoqëria me armikun e Kurtit, Agim Veliun

    Një prej betejave më të famshme politike të Kurtit është ajo me Agim Veliun. Përfshiu krijim e rrëzim të një qeverie. Vetëvendosja e Kurtit e godisnin Veliun për afërsi me një biznesmen. Pikërisht të personi që e takoi pardje Kurtin- Gëzim Sinanin.

    Ky ndryshim prej 180 shkallësh ka ndodhur brenda një periudhe prej vetëm tri viteve. Biznesmeni lehtësisht i sulmueshëm për të njollosur Veliun pas tri viteve përfundoi në aleat zyrtar të Qeverisë Kurti duke qenë një prej përfituesve të tenderit afro 8 milionësh si dhe nikoqir i vizitës së Kryeministrit Kurti në vend-punishte.

    Ndonëse mund të ketë ndërruar formacionin partiak, proceset penale të shtetit ndaj biznesmenit Sinanit mbetën të njëjta. Të rënda. Të dënueshme me shumë vite burg.

    Por, për çka dyshohet ai saktësisht?

    Në mars të vitit 2023 Prokuroria Themelore në Ferizaj, saktësisht prokurori që e lavdëronte pushteti i Kurtit, Rasim Maloku kishte deponuar në Gjyq një dosje të madhe të rastit që njihet si “Grezovica”. Nisi si hetim për dëmtim të ambientit, e përfundoi në kapje të fajdexhinjve.

    Cka shkroi Prokurori Maloku në këtë dosje për Gëzim Sinanin?

    Historinë ia tregonte Gjyqit duke e nisur fillimisht me Shefik Rexhepin, pronar i ndërmarrjes tregtare “Euro-Ab”, si dhe Bashkim Osmani, pronar i ndërmarrjes prodhuese “Dona Liberion”, të cilët thoshte se kanë dhënë para me fajde.

    Sipas dosjës së përpiluar nga Prokurori Maloku, në fund të vitit 2021, Shefik Rexhepi e Bashkim Osmani, në bashkëkryerje me Gëzim Sinanin, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit A.H.

    A.H, duhej të paguante një obligim financiar për një objekt ndërtimor, mirëpo për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, si dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale, është detyruar të kërkoj para nga Gëzim Sinani.

    Ky i fundit, paratë i kishte siguruar nga të pandehurit, ku nga i pandehuri Rexhepi shumën prej 430 mijë euro, kurse nga i pandehuri Bashkim shumën prej 550 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 98 mijë euro, të cilën duhet ta paguante në çdo muaj si fajde.

    Kështu, i dëmtuari për njëmbëdhjetë muaj kishte pësuar dëm në shumën prej 1 milion e 100 mijë euro në emër të fajdes, mirëpo pagesat e kësteve tjera mujore ishin ndërprerë për shkak të arrestimit të vëllezërve Gëzim dhe Salih Sinani, kurse borxhi kryesor ka mbetur në shumë prej 920 mijë euro.

    Me këtë do të kenë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Dosja e Prokurorit Rasim Maloku vazhdon ta përmend Gëzim Sinanin. Sipas saj, nga fillimi i vitit 2020, i Shefik Rexhepi në bashkëkryerje me Gëzim Sinanin, kanë kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit Xhevdet Shala.

    Xhevdet Shala për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, si dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale, është detyruar të kërkojë para nga Gëzim Sinani, i cili paratë i kishte siguruar nga i pandehuri Shefik Rexhepi.

    Paratë i kishte siguruar në atë mënyrë që ka kontraktuar armaturë në vlerë rreth 500 mijë euro, me fajde nga 2 mijë  euro për kamion dhe 10 centë më shtrenjtë për kilogram të armaturës, të cilën e kanë shitur tek personat e tretë, kurse paratë i ka marrë i dëmtuari Xhevdet Shala për t’i paguar fajdet, ndaj personave të tretë, kështu që borxhi i tij ka arritur mbi 1 milion euro.

    “Xhevdet Shala për t’i paguar borxhin dhe fajdet të pandehurit Shefik Rexhepi, është detyruar të marrë kredi në bankë, të cilat para pastaj janë transferuar në llogarinë e ndërmarrjes për prodhimin e betonit “Ima sh.p.k”, e cila është pronë faktike e të pandehurit Gëzim Sinani”, thuhet në dosje.

    Në këtë mënyrë i dëmtuari Xhevdet Shala ka pësuar dëm pasuror në vlerë rreth 500 mijë euro.

    Me këtë rast thuhet se i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje  ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas Prokurorit Maloku, Bashkim Osmani, në fund të vitit 2021, në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit N.B.

    Ai për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19 si dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale, për një projekt ndërtimi, është detyruar të kërkoj para nga Gëzim Sinani.

    Ky i fundit, paratë i kishte marrë nga i pandehuri Bashkim në shumë prej 200 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 12 mijë në muaj si fajde, prej të cilave 8 mijë i ka marrë i pandehuri Bashkim, kurse 4 mijë i pandehuri Gëzim.

    I dëmtuari në pamundësi që t’i paguaj shumat e parave në emër të fajdeve, është detyruar t’i marrë edhe 200 mijë euro me kushte të njëjta, kështu që borxhi i të dëmtuarit kishte arritur shumën prej 1 milion 96 mijë euro.

    Kështu, i dëmtuari është detyruar të marrë një kredi në “Ish Bank”, në shumë prej 700 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të pandehurit Gëzim dhe një banesë në vlerë prej 70 mijë, duke pësuar një dëm pasuror në shumë rreth 330 mijë, kurse pjesa tjetër ka mbetur e pa paguar.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur Prokurorin Maloku se a ka nënshkruar Gëzim Sinani pranim fajësie, dhe se a i është pranuar ky dokument eventual nga Gjyqi, por i njëjti deri tash nuk është përgjigjur.

    Oligarkët e dyshimtë nga Shqipëria-Kush janë dy firmat tjera fituese të tenderit 8 milionësh?

    Nuk është vetëm firma në emër të familjarit të Sinanit që përfshihet në një histori jo të mirë.

    Edhe dy firmat tjera kanë histori të bujshme të përfshirjës në shkelje të rënda ligjore.

    “4 A-M Sh.P.K”, është në kontroll të Bashkim Ulajt, por që pronar faktik e ka Ardit Metaliaj ndërsa GPG Company është në pronësi të Paqsor Buzit.

    Ulaj kishte hapur firmën “4 A-M Sh.P.K”, pasi firma tjetër e tij “Gener 2”, ishte suspenduar nga prokurimi publik me vendim të autoriteteve në Shqipëri.

    Nuk kishte shkuar shumë kohë dhe vendim i njëjte ishte marrë edhe për firmën e re. Suspendim nga prokurimi publik.

    Vendimi kishte ardhur pas një hetimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH kishte konstatuar se kjo firmë kishte dorëzuar dokumente të rrejshme me qëllim të përfitimit të një tenderi për shtrimin e rrugës në Porto Romano.

    Por, Ulaj nuk është i famshëm vetëm për mashtrime në tenderë. Emri  tij ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ishte përmendur edhe në parlamentin e Malit të Zi.

    Diskutohej atë ditë për resortin turistik të Kolashinit. Ulaj kishte nisur aty një investim të madh multimilionësh.

    Deputeti i atëhershëm malazias Nebojsha Medojeviq kishte ngritur një çështje të rëndësishme atë ditë. Kishte alarmuar qeverinë malaziase për rrezikun nga Ulaj. Iu kishte thënë se ai këtë resort multimilionësh po e ndërtonte bashkërisht me Zoran Beçiroviç, një prej mafiozëve më të rrëzikshëm të Ballkanit. Beçiroviç është një mafioz i famshëm ballkanik që përfshinë edhe kontrollin e trafikut e kokainës.

    Edhe anëtari tjetër i konzorciumit fitues nuk është më i hajrit se sa Bashkim Ulaj. Ai përmendet tërë kohën si oligark i Ramës dhe zhvatës i tenderëve në Shqipëri.

    Ndonëse emrin Paqsor, veprime e tij nuk kanë qenë ndonjëherë paqësore me zbatimin e ligjit. Ai madje kishte qenë edhe në burg për shkak të kryerjes së veprave kriminale.

    Në vitin 2019 ishin arrestuar 15 biznesmenë nga Policia e Tiranës. Në mesin e tyre ishte edhe Paqsor Buzi, hisedar i gjysmës së kompanisë GPG që fitoi tenderin milionësh nga Qeveria Kurti.

    Dëmi që ia kishin shkaktuar shtetit këta 15 veta vlerësohet se kapte shifrën e 30 milionë eurove.

    Aktualisht firma e parë lider e konzorciumit që mori tenderin 8 milionësh për rrugën Prizren-Tetovë, 4 A-M Sh.P.K. prnar të vetëm e ka Ardit Metaliaj, derisa në Kosovë si degë drejtohet nga familjari i Gëzim Sinanit, Graniti.

    Në Kosovë u regjistrua si degë më 2 korrik 2024- apo një muaj e pak ditë para së të nënshkruante kontratën milionëshe më Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës që drejtohet nga dyshja Liburn Aliu e Hysen Durmishi.

    Edhe për firmën 4 A-M Sh.P.K në mars të këtij viti SPAK në shqipëri ka bërë një njoftim publik.

    Aty thuhet se SPAK ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën me marrëveshje për pranimin e fajësisë, të procedimit penal kundër të pandehurve Zenel Çela, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazizë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, (hetuar në gjendje të lirë);

    Ramiz Bardhi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të njëjtë si Çela po ashtu i hetuar në gjendje të lirë).

    Dhe, kundër Rexhep Ismajlisufaj për akuzën e njëjta e i hetuar në gjendje të lirë.

    Procedimi penal i vitit 2021erdhi pasi që u ndjek procedura e kontraktimit nga Bashkia Tropojë për një tender.

    “Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në funksion të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar, se të pandehurit me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlersimit të Ofertave, gjatë vlerësimit të ofertave, nuk kanë trajtuar në mënyrë të barabartë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit …Megjithëse Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Halili 1 & Shendelli”, ka paraqitur ofertën më të ulët në vlerën 42.072.833 lekë, pa Tvsh, të pandehurit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me Ligjin dhe Rregullat e prokurimit publik, si dhe me kriterin e vendosur në Dokumentat Standarte të Tenderit, kanë shpallur fitues operatorin ekonomik “4 A-M”, me ofertën 50.269.533 lekë pa Tvsh, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8.196.700 lekë (si diferencë midis dy ofertave)”, thuhet në njoftimin e SPAK.

    Metalaj përmendet edhe në atë që njihet si “Dosja 5D”, ku SPAK ka hetuar 14 biznesmenë të implikuar në afera korrupsioni që ndërlidhen me tenderë publik.

    Pas publikimit të këtij artikulli përfaqësuesit ligjor të Gëzim Sinanit kanë dërguar këtë reagim. Insajderi për korrektësi do ta publikojë reagimin të plotë siç e kanë dërguar.

    REAGIM Ndaj artikullit të gazetës “Insajderi” të datës 16.08.2024 Ndaj Gëzim Sinanit nuk ka të ngritur asnjë aktakuzë të ngritur dhe nuk është pronar i asnjë kompanie për fitimin e tenderit për rrugën Prizren – Tetovë ashtu siç pretendohet në shkrimin e gazetës “Insajderi”. Gazeta “Insajderi” me datë 16.08.2024 ka botuar artikullin me titull si e fuqizojë qeveria Kurti fajdexhiun e famshëm, “mikun e Agim Veliu”. I apostrufuari Gëzim Sinani nuk është pronar i kompanisë e cila ka fituar tenderin për shtrimin e rrugës Prizren – Tetovë si dhe nuk është dënuar ose i akuzuar nga asnjë gjykatë për kryerje të ndonjë vepre por është dyshuar për vepër penale e që në bazë të Kodit të Procedurës Penale i njëjti konsiderohet i pafajshëm derisa sa të mirret aktgjykim i plotëfuqishjëmn nga ana e gjykatës. Publikimi i artikullit në “Insajder” duke e paraqitur nonstop Gëzim Sinani si kryerës i veprës penale pa pasur aktakuzë dhe aktgjykim të formës së prerë është tendencioz sepse edhe po të ishte i dënuar me vendim të formës së prerë i njëjti ka të drejtë të punojë dhe të angazhohet në secilën kompani private të ligjshme në Republikën e Kosovës. Dëmtimi i imazhit në këtë mënyrë i një qytetari të Republikës së Kosovës është i padrejtë dhe nuk përkon në etikën dhe në kodin e gazetarisë, në shtetet demokratike siç është Republika e Kosovës ku mediat e shkruara dhe ato elektronike nuk mund të shpallin fajtor në mënyrë publike pa pasur vendim të formës së prerë nga gjykatat kompetente. Në gazetën “Insajderi” thuhet se Gëzim Sinani akuzohet për përfshirje në veprimtari kriminale çka nuk është e vërtetë dhe është shpifje sepse nuk ka asnjë lloje akuze të ngritur nga Prokurori i Shtetit kundër Gëzim Sinanit dhe lënda është në hetim dhe në këtë fazë të procedurës nuk ka të drejtë as gazeta, as organet e hetuesisë që ta trajtojnë si fajtor ashtu siç ka vepruar gazeta “Insajderi” në këtë artikull tendencioz. Nuk është i vërtetë pretendimi i “Insajderi” se Gëzim Sinani është i autorizuari i kompanisë nga Shqipëria dhe në këtë aspekt i njëjti nuk ka autorizim të kontraktimet as nga personat fizikë e as ata juridik. Nuk ka asnjë vendim gjyqësor me të cilin Gëzim Sinanit i ndalohet që të takohet me persona qofshin publik apo privat dhe fakti se në foto ndodhet së bashku me kryeministrin, ministrin dhe zëvendësministrin ka të bëjë për shkak se Gëzimi është i punësuar nga njëri nga kompanitë vendore si mbikëqyrës i punimeve dhe punëtorëve por nuk ka aksione nga asnjërit nga kompanitë ashtu siç pretendohet në mjetet e informimit e në mënyrë të veçantë në gazetën “Insajder”. Të gjitha shkrimet e pretenduara për Gëzim Sinanin dhe familjen e tij nuk janë të bazuar në prova dhe në dosjen e prokurorisë dhe janë të pavërteta sepse shkresat e lëndës dhe dosja për çështjen penale për të cilën është duke u dyshuar ende nuk iu është dorëzuar asnjërit nga palët në procedurë për shkak se nuk janë përfunduar hetimet dhe epilogu i hetimeve nuk mund të paragjykohet pasi që në të gjitha rastet aplikohet parimi i prezumimit të pafajsisë duke përfshirë edhe në këtë rast. Sulmi mediatik i drejtuar ndaj Gëzim Sinani dhe familjes së tij është i padrejtë dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e Gëzim Sinanit dhe familjes së tij si dhe personave të tjerë të cilët janë të përfshirë në atë fotografi. Gëzim Sinani përmes këtij reagimi i kundërshton të gjitha pretendimnet në shkrimet e gazetës “Insadjeri” si të pasakta pasi që të gjitha këto shpifje që kanë të bëjnë me marrjen e tenderit apo pretendimet se ndaj Gëzim Sinanit ka akuzë të ngritur janë të pasakta dhe në nivel të shpifjeve sepse Gëzim Sinani nuk ka nënshkruar asnjë lloje kontrate me qeverinë e Kosovës, nuk është pronar-aksionar i kompanisë kontraktuese, nuk është i autorizuar nga kompanitë e Shqipërisë por i njëjti është angazhuar nga kompania vendore për mbikëqyrjen e punëtorëve dhe të punimeve në atë rrugën Prizren – Tetovë. Faktin se Gëzim Sinani është angazhuar në një kompani vendore si mbikëqyrës nuk duhet të jetë pretekst që të sulmohet në mënyrë mediatike sepse i njëjti është prind dhe i njëjti duhet të punojë që të sigurojë mirëqenien ekonomike dhe sociale të familjes së tij. Gëzim Sinani nga të gjitha kompanitë private njihet si një person që dallohet si person punëtor, organizativ, i ndershum dhe human, gjithashtu njihet si njeri i ndershëm dhe human nga rrethi i tij dhe kolegët me të cilët bashkëpunon dhe nuk duhet që hetimet në një çështje juridike të hetimeve të merret si res judicata – çështje e gjykuar. Me respekt, Prishtinë I autorizuari Datë 16.08.2024 Av./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark