Pas arrestimit të Dardan Molliqajt nga Policia e Kosovës, tani është prangosur edhe Frashër Krasniqi me bashkë anëtarin e PSD-së, Zgjim Hyseni.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi konfirmoi se të arrestuar janë edhe Gëzon Kastrati edhe Korab Korça.
“Një vendim i Gjykatës ka qenë që me u lëshu një fletëarrest për Dardan Molliqaj, mirëpo në seancë nuk ka qenë prezent as Haki Abazi, pra pa të drejtë, pa ftesë në zyre me pretekst që nuk i dinë adresat kanë lëshu flet arrest dhe na kanë përcjellur gjatë gjithë ditës në protestë”, tha Kuçi për Insajderin.
Ajo shtoi se policët u sollën dhunshëm edhe ndaj aktivistëve të tjerë teksa i pritën gjerë në përfundim të protestës.
“Ishin 30 polic civil të cilët kryen arrestimin dhe ishin tejtet të dhunshëm ndaj aktivistëve të tjerë, porsa dolëm nga protesta ata nau lëshuan pas dhe e kryen arrestimin në mënyrë të dhunshme, këta janë të njejtit polic që kanë kryer arrestime ndaj neve edhe ma heret me mllef dhe në mënyrë joprofesionale”, tha Kuçi.