Foshnja, e cila ra në pllaka gjatë lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), para disa ditësh, ka pësuar gjakderdhje në tru.
Prindërit e kanë akuzuar stafin mjekësor për neglizhencë të rastit. Ndërsa Nëna e cila ka lindur fëmijën ka thënë për media se nuk ishte ndihmuar as nga infermieret.
Babai i foshnjës, Bekim Qerimi, ka denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Qerimi nuk ka pranuar të japë deklaratë më të detajuar rreth rastit, pasi, sipas tij, tash hetimet po zhvillohen dhe pret që drejtësia të ndërhyjë dhe të merren masa ndaj atyre që lejuan të ndodhë dhe lënduan foshnjën e tij.
Ai ka bërë të ditur se foshnja është gjallë, por ka gjakderdhje në tru.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se hetimet kanë nisur edhe nga autoritetet e drejtësisë në vend. Ndërsa gjatë ditës është bërë e ditur se QKUK-ja po hulumton rastin në Klinikën e Gjinekologjisë.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) njofton se ka nisur hulumtimin lidhur me një rast të dyshimtë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike”.
“Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka kërkuar deklaratë me shkrim nga menaxhmenti i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike duke kërkuar sqarim, informacione dhe hulumtim të detajuar në lidhje me rastin, të gjeturat dhe përgjegjësinë eventuale. Po ashtu, janë kërkuar deklaratat nga shefi i ndërrimit, mjekët, shefi i sallës, mamive apo të gjithë personave të tjerë që lidhen me rastin në fjalë”, është njoftuar gjatë ditës nga Zyra për Informim e QKUK-së.