Në disa qëndrime të tij gjatë ditëve të fundit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka lënë të nënkuptohet se është i pakënaqur me Lëvizjen Vetëvendosje.
Por, i kontaktuar nga Demokracia.com, deputeti Haki Abazi ka thënë se nuk e ka asnjë problem me Vetëvendosjen dhe nuk e ka ndërmend ta braktisë partinë.
Ai për Demokracia.com ka thënë se statuset e tij ku flet për ‘servilët” e pushtetit nënkuptojnë vetëm demokraci dhe mendim të pavarur.
“Këto nënkuptojnë demokraci dhe mendim të pavarur”, ka thënë Abazi.
Deputeti i LVV-së, Haki Abazi, i ka mohuar zërat se ai mund ta braktisë LVV-në dhe se shkak për këtë është kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
“Absolutisht, asnjë gjë të vërtetë nuk ka. Asnjë problem, asnjë gjë”, ka thënë Abazi.
Deputeti i LVV-së ka thënë se lëvizja e vetme e tij do të jetë drejt bregdetit shqiptar.
“Absolutisht, jo. Lëvizje për bregdet të Shqipërisë, po”, u shpreh ai.
Kohën e fundit, Haki Abazi ka filluar t’i godas “servilët” e pushtetit, që qartësisht aludon në dikë në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Pyetja është nëse me servilë e poçavra të ndyra mund të ndërtohet e zhvillohet shteti? A duhet ndryshimi të reduktohet në rehabilitim të atyre që i kanë shërbyer në një formë atij sistemi të korruptuar e kriminal që synohet të ndryshohet”, shkroi Abazi para disa ditësh.