Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të propozuar nga pala serbe.
“Ekipi Menaxhues prezantoi një draft statut në gjithsej 67 nene. Një draft statut i tillë çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën dhe përkundër kësaj, ne do të jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Kurti përpara mediave, shkruan Gazeta Insajderi.
“Unë propozova një draft-vizion, përkitazi me nenin 7 dhe 10 të marrëveshjes bazë. Besoj që ajo do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit, sepse në atë mënyrë do të ndërtojmë diçka të drejtë”, vijoi më tej ai.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se ua ka dorëzuar ndërmjetësve evropianë edhe një dokument ku, sipas tij, dëshmon se Serbia ka shkelur 8 nga 11 pikat e Marrëveshjes së Ohrit që nga arritja e ujdisë. /Insajderi.org/