
Hansi Flick ka filluar të ndërtojë themelet e Barcelonës për sezonin e ardhshëm dhe ka marrë një vendim të qartë për dy lojtarë të rinj: Eric Garcia dhe Fermin Lopez.
Trajneri gjerman i ka kërkuar bordit të klubit që të mos dëgjojë asnjë ofertë për mbrojtësin 24-vjeçar dhe mesfushorin 22-vjeçar, të cilët i konsideron pjesë të rëndësishme të projektit të tij teknik.
Garcia, i cili ishte në huazim te Girona sezonin e kaluar, ka bindur Flick me qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e tij. Edhe më parë, tekniku gjerman kishte refuzuar mundësinë e largimit të tij, duke vlerësuar ndikimin që ai sjell në vijën e pasme.
Në këtë drejtim, pritet që Barcelona të fillojë së shpejti negociatat për rinovimin e kontratës së Garcias, e cila skadon në qershor të vitit 2026. Mbrojtësi është i hapur për të qëndruar dhe e sheh veten si pjesë afatgjatë të klubit katalanas.
Nga ana tjetër, Fermin Lopez ka lënë përshtypje të mira te Flick, edhe pse sezonin e kaluar nuk pati gjithmonë statusin e titullarit.
Mesfushori andaluzian ka fituar besimin e trajnerit falë etikës së punës dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
Vetë lojtari nuk ka dëshirë të largohet. Ai e konsideron Barcelonën si klubin e jetës së tij dhe është i vendosur të luftojë për më shumë minuta në ekipin e parë.
Kujtojmë se ai dikur pranoi një huazim te Linares për të fituar përvojë dhe më pas shkëlqeu në fazën përgatitore dy sezone më parë.
Me këtë qëndrim të qartë të Flick, Barcelona po dërgon një mesazh të fortë se do të mbështetet më shumë te talentet e veta, duke ruajtur stabilitetin dhe vazhdimësinë në skuadër.