Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim një delegacion nga Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane, me të cilët ka biseduar për zhvillimet aktuale financiare në Kosovë.
Miniane e njohu kryetarin Veseli me opinionin e tij lidhur me qëndrueshmërinë financiare të Kosovës në raport me vendet e tjera të rajonit, ndërsa shtroi nevojën që të ruhet kjo qëndrueshmëri dhe të kihet kujdes në shpenzimet e paplanifikuara, të cilat mund të kenë implikime financiare në raport me zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit.
Në anën tjetër, Kryetari e falënderoi Miniane për kontributin që po jep FMN-ja me rekomandime dhe aktivitete të tjera në ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-financiare të vendit dhe stabilitetit buxhetor, përkushtim ky, gjithashtu, edhe i institucioneve tona, lokale dhe qendrore.
Veseli theksoi se buxheti duhet të jetë i ndikuar fuqishëm nga prodhimi dhe punësimi në Republikën e Kosovës.
“Qëndrueshmëria buxhetore dhe rritja e vazhdueshme ekonomike, është synim yni parësor”, theksoi kryetari Veseli./Insajderi.com