Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur sonte në Rubikon për planin e tij për krijimin e Fondit për Papunësinë, një mekanizëm që synon të ofrojë mbështetje financiare për ata që humbin vendin e punës.
“Fondi i Papunësisë do të rimbursojë të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës për 6 muaj me 80% të pagës së fundit”, ka deklaruar Hamza.
Ai sqaroi mënyrën e funksionimit të tij.
“Duhet të fillohet me një shumë, sepse nuk ka një kalkulim të saktë sa njerëz mund të humbin vendin e punës. Fillimisht, një 20-milionësh do të vendoset për startimin e këtij fondi dhe, në rast se këto harxhohen përmes procedurave të rregullta, do të rimbursohet”.
Hamza theksoi se ky fond do të krijojë një siguri të re për punëtorët në Kosovë.
“Ky do të ofrojë siguri për të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër, siç është falimentimi apo mbyllja e kompanisë, humbasin vendin e punës”, tha ai.