Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e 4.2 milionë eurove partive politike të përfaqësuara në kuvend, ka reaguar organizata Çohu, e cila ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës për mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve.
Sipas kësaj organizate, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka dështuar të përzgjedhë auditorët për të audituar raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatave zgjedhore.
Në këto rrethana, Çohu thotë se e gjithë kjo është një keqpërdorim i parasë publike dhe keqpërdorim i taksave të qytetarëve nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Pasqyrat financiare vjetore për vitet 2013, 2014 dhe 2015 si dhe deklarimet financiare për shpenzimet gjatë zgjedhjeve lokale (2013) dhe atyre nacionale (2014), nuk janë publike pikërisht për shkak të dështimit për t’i audituar financat e partive politike,” thuhet në reagimin e Cohu.
“Mungesa e këtyre të dhënave pengon transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike karshi qytetarëve dhe tregon për mungesë serioziteti nga ana e institucioneve publike për të siguruar qasje të plotë dhe të papenguar në pasqyrat financiare të subjekteve politike”, theksohet në reagim./Insajderi.