Forumi i Davosit është një simbol i globalizimit të vjetëruar - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Forumi i Davosit është një simbol i globalizimit të vjetëruar

    Insajderi
    23 January 2023 - 09:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Pierre Haski

    Për gati 3 dekada, forumi në Davos, një qytet i vendosur rrëzë maleve të Zvicrës ka qenë një simbol i përparimit të globalizimit. Gjatë viteve 1990, në Davos unë kuptova ndikimin e revolucionit dixhital. Në këtë aktivitet disaditor të përvitshëm ju mund të takonit Nelson Mandelën dhe Frederik dë Klerk, Jaser Arafatin dhe Shimon Perezin.

    Pikërisht në Davos, demokracitë e reja të Evropës Lindore hodhën hapat e tyre të parë drejt ekonomisë liberale, dhe po aty në kapërcyell të mijëvjeçarit të ri, vendet në zhvillim morën dukshmërinë që dëshironin në sytë e investitorëve nga e gjithë bota.

    Por e gjitha kjo nuk ekziston më. Bota e ëndërruar në Davos, ajo e lëvizjes së lirë të mallrave dhe kapitalit, dhe ajo e teknologjisë për të mirën e përbashkët, është përballur me rreziqe, të cilat nuk ishte në gjendje ose nuk mund t’i parashikonte.

    Bota sot është e ndarë, teksa janë rikthyer muret. Edicioni i këtij viti i Forumit Ekonomik të Davosit zhvillohet në të njëjtin kontinent ku po zhvillohet lufta e parë e madhe që nga viti 1945. Nisma e fundit e madhe e Davos-it do të hyjë në histori si një gabim.

    E kam fjalën për tapetin e kuq të rrokullisur përballë udhëheqësit të Kinës Xi Jinping në vitin 2017, i paraqitur si shpëtimtari i tregtisë së lirë. Ishte një gjest i kuptueshëm duke pasur parasysh ngjitjen në pushtet të Donald Trump, por edhe jashtë kohe në lidhje me evolucionin e fuqisë kineze.

    Por Covid-19 dhe rivalitetet gjeopolitike kanë mbizotëruar mbi një model të caktuar të globalizimit. Davos e ka shoqëruar zgjerimin e Kinës si “fabrika e botës”, por ai nuk e ka kuptuar nevojën në rritje për një rajonalizim të prodhimit dhe për një shkëputje nga Kina në fushën e teknologjisë.

    Forumi është si një personazh vizatimor që vazhdon të vrapojë edhe kur toka zhduket nën këmbët e tij, para se sa të kuptojë, tashmë shumë vonë, se po ecën mbi një boshllëk. Takimi vjetor i mbajtur në Zvicër, mbetet një mundësi ku liderët botërorë mund të krijojnë aleanca dhe të shkëmbejnë informacione.

    Por ai e ka humbur funksionin e busullës së globalizimit, të cilin e kryen me kënaqësi dhe mbi të gjitha duke korrur shumë fitime. Paradoksalisht, anti-globalistët që e kishin ngritur diskursin e tyre në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Davos-in, kanë përjetuar gjithashtu një dobësim të madh të pozitës së tyre: shoqëria paralele që ata krijuan e ka humbur vrullin.

    Për momentin po jetojmë në një moment pezullie shumë shqetësuese. Globalizimi ka mbijetuar, por ai është më shumë një trashëgimi e 20 viteve të fundit sesa një premtim për të ardhmen. Ndryshimet klimatike dhe gjeopolitika kanë filluar që ta ndryshojnë kursin.

    Bota e së nesërmes nuk është ende e qartë, kjo edhe për shkak të tensioneve të forta që po shihen aktualisht. Cila do të jetë gjendja e marrëdhënieve me Kinën gjatë 3, 4 apo 5 viteve të ardhshme? Cili do të jetë ndikimi i vendimeve – apo mungesa e tyre – në ndryshimin e klimës?

    Dhe më e rëndësishmja, si do të ndikojë lufta në Ukrainë dhe rezultatet e saj të mundshme mbi botën tonë? Një gjë është e sigurt: përgjigjet nuk do të vijnë më nga Davosi. Ndaj duhet të shpiket Davosi i shekullit XXI, më forum më pak elitar, më gjithëpërfshirës dhe më human. / “Francë Inter” – Bota.al

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark