Mbrëmë në Kolovicë të Prishtinës është vrarë një 30 vjeçar pas plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri. Viktima është Egzon Haziri nga Podujeva. Ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Nga të shtënat është plagosur edhe një kalimtare e rastit e cila fatkeqësisht nuk ka mundur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë të mërkurën në QKUK.
Dje rreth orës 13:00 të ditës u raportua për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Kolovicë”.
Gazeta Insajderi ka mësuar se vëllezërit që dyshohet se gjuajtën me armë që shkaktuan vdekjen e Hazirit dhe gruas së moshës rreth 50-vjeçare janë Ahmet dhe Naim Berisha.
Insajderi ka arritur të sigurojë fotografi të Ahmet Berishës, të cilin mund ta shihni më poshtë:
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka konfirmuar se sipas hetimeve preliminare bëhet fjalë për një person të vrarë dhe tre tjerë të plagosur. Sipas saj, gjendja e njërit nga personat e plagosur është e rëndë.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre e ka gjendjen me të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale”, tha ajo. /Insajderi.org/