
Gjatë një kontrolli rutinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë kanë zbuluar një rast të mosdeklarimit të stoli argjendi nga një pasagjer, i cili tentoi të shmangte detyrimet doganore duke kaluar përmes kanalit të gjelbër, të destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim.
Pas kontrollit të detajuar, u gjetën mbi 1.5 kilogramë stoli me vlerë të konsiderueshme, çka çoi në nisjen e procedurave për kundërvajtje doganore ndaj personit në fjalë.
“Gjatë skanimit të bagazhit, u zbulua një sasi e konsiderueshme stoli argjendi, e cila, pas verifikimit, rezultoi të ishte 1.518,89 gram me një vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura u prezantua nga vetë pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa shmangia doganore ishte në vlerë prej 732,40 €”, thuhet në njoftim.
Malli është ndaluar dhe i nënshtrohet procedurave të mëtejshme në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizës. Kundër personit në fjalë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat do të mbeten nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore të parashikuara me legjislacionin në fuqi.