
Fraksion +, që ishte formuar nga disa ish-aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë tani e tutje pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kjo është konfirmuar nga vetë kjo organizatë politike ku bënë pjesë edhe Ajnishahe Halimi, ish-kandidatate e VV-së për Skenderaj.
“Organizata politike Fraksion +, pas përmbylljes së veprimtarisë së vet mbi njëvjeçare, njofton opinionin se tek Partia Demokratike e Kosovës ka gjetur ambientin më të përshtatshëm dhe hapësirën më të madhe për të dhënë kontributin dhe për të zhvilluar vizionin e vet politik dhe profesional, ku edhe e sheh mundësinë për t’i zbatuar aspiratat e veta programore të cilat i ka përfaqësuar gjatë gjithë kohës së veprimtarisë, që nga dalja në skenë e deri më sot”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Me këtë, sipas marrëveshjes së arrirë me kreun e PDK, z. Kadri Veseli, Fraksion +, si Vizionin edhe Platformën e vet e inkorporon në Programin Reformues të PDK, dhe shpreh vullnetin dhe besimin se me kryetarin Veseli, me veprimtarë dhe anëtarë të devotshëm të kësaj partie, do të arrijë sukses në zbatimin e reformave të planifikuara në interes të Kosovës, për një shtet ligjor, zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane”.