Franca në pragun e një krize të rëndë kombëtare - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Franca në pragun e një krize të rëndë kombëtare

    Insajderi
    21 June 2021 - 13:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga John Lichfield

    Në dy dekada që mbuloj ngjarjet në Francë si korrespodent, nuk kam qenë asnjëherë dëshmitar i një histerie të tillë politike. Dhe kjo nuk ta ka të bëjë vetëm me shuplakën në fytyrë që mori javën e kaluar presidentit Emmanuel Macron.

    Por edhe me qesen me miell që u derdh të shtunën mbi kokën e liderit të së majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon; apo edhe me letrën absurde të muajit të kaluar nga gjeneralët në pension, që paralajmëronin shpërthimin e luftës civile.

    Vendi duket se po shkon drejt një ezaurimi nervor teksa të dielën mbahen zgjedhjet rajonale, ndërsa 10 muaj më pas ato presidenciale. Në këtë situatë lind një pyetje. A është kjo histeri spontane, apo të paktën pjesërisht e organizuar?

    Të gjitha incidentet e përshkruara më sipër, ishin vepër e njerëzve që janë aktivistë të së djathtës ekstreme (edhe pse jo domosdoshmërisht të lidhur drejtpërdrejt me Marine Le Pen, apo partinë e saj të ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar).

    Eksperti francez mbi botën arabe, Gilles Kepel, ka folur për atë që ai e quan “xhihadizëm atmosferik” – një gjendje e përgjithshme mendore që promovon radikalizmin e dhunshëm islamik.

    Franca po vuan nga një lloj “Lepenizmi atmosferik” – një gjendje ankthi e përhershme, e cila favorizon përparimin e së djathtës ultra-nacionaliste dhe anti-evropiane. Kjo promovohet nga një strategji denigrimi dhe ekzagjerimi (dhe gënjeshtrash të shpeshta), që promovohen nga portalet e ekstremit të djathtë, si dhe nga Le Pen dhe mbështetësit e saj.

    Damien Tarel, i riu i papunë që goditi më shuplakë presidentin, tha në gjyqin që u bë ndaj tij se Macron e ka përshpejtuar “dekadencën” e Francës. Analisti më popullor i ekstremit të djathtë në vend, Eric Zemmour, i tha audiencës së tij televizive se Macron “mori atë që meritonte”, pasi e ka “përdhosur” presidencën.

    Politikanët dhe analistët e së majtës dhe të djathtës tradicionale, po kontribuojnë me komente të ngjashme. Macron jo vetëm po vepron gabim, thonë ata, por ai është “i dhunshëm” apo “shkatërrues”. Sondazhet sugjerojnë se opozita tradicionale përfiton shumë pak nga kjo retorikë e ekzagjeruar, ndërsa Le Pen po.

    Por jo të gjithë francezët i janë nënshtruar këtij anti-makronizmi histerik. Vlerësimet e presidentit në sondazhe mbeten çuditërisht të larta. Javën e kaluar, ai kishte një vlerësim në masën 50 për qind në një sondazh të përmuajshëm që organizon për politikanët kompania ‘Paris-Match-Ifop’.

    E megjithatë, teksa Franca po del në fillim të sezonit veror nga një bllokim i tretë për shkak të Covid-19, është një komb i trazuar dhe i përçarë. Nga njëra anë, ekziston një dëshirë e zjarrtë për t’u rikthyer në normalitet. Nga ana tjetër, ekziston një dëshirë po aq e zjarrtë për ta siluruar politikën tradicionale.

    Shumë njerëz, sidomos të rinjtë dhe të moshuarit, kanë një besim të përtërirë tek presidenti Macron, që kur ai i sfidoi “ekspertët” muajin e kaluar, duke e nxjerrë Francën më herët nga bllokimi. Të tjerët e fajësojnë Macron për gjithçka që shkoi keq në Francë gjatë pandemisë.

    Ata refuzojnë ta pranojnë se disa gjëra shkuan mirë, si për shembull mbështetja bujare e shtetit për bizneset dhe individët, dhe pas një fillimi të dobët, fushata relativisht e mirë e vaksinimeve.

    Kampet kapërcejnë ndarjet e vjetra e majtë- e djathtë, ndërsa linja kryesore e ndarjes (por jo e vetmja) është kryesisht e natyrës gjeografike. Ekziston një hendek midis Francës së suksesshme, me mentalitet të hapur, ku përshihen një numër zonash metropolitane të suksesshme, dhe Francës me mentalitet të mbyllur që shtrihet në zonat rurale, qytetet e vogla dhe disa periferive të qyteteve të mëdha.

    Struktura majtas-djathtas që formon opinionin politik francez është shembur. Macron i dha asaj goditjen e fundit 4 vjet më parë. Dhe ai korri përfitimet me fitoren e tij në vitin 2017. Por

    që atëherë, ai nuk ka arritur të krijojë një narrativë të qëllimit apo drejtimit për reformat e tij.

    Ai cilësohet ende si një arrogant nga politikanët dhe media, si nga qendra e majtë ashtu edhe ajo e djathtë. Një nga dështimet e mëdha të presidentit ka qenë paaftësia e tij për të krijuar një lëvizje qendrore bazë. Dhe për shkak të kësaj, popullariteti në sondazhe nuk do ta ndihmojë shumë të dielën, kur Franca mban raundin e parë të zgjedhjeve rajonale.

    Partia e tij, La République en Marche, nuk do të kryesojë dot në asnjë rajon, madje do të renditet e treta ose e katërta në disa zona. Partia e Le Pen, që nuk ka fituar kurrë një rajon më parë, mund të kryesojë raundin e parë në 6 nga 13 rajone. Gjithashtu ajo ka shanse të mira për të fituar të paktën një rajon – Marseille-Nice-Avignon – balotazhin e 27 qershorit, dhe njëfarë shprese për të fituar rajonin lindor, Le Grand Est.

    Ndërtimi i aleancave para çdo raundi zgjedhor, është bërë jashtëzakonisht i vështirë për të. Pasi zor se kalon një ditë pa u ekspozuar një kandidat rajonal i Le Pen si një neo-nazist, antisemit apo islamofob.  E megjithatë, pjesa më e madhe e fushatave rajonale nga e majta dhe e djathta tradicionale, kanë të bëjnë me sulmin ndaj Macron, dhe jo Le Pen.

    Me sa duket disa politikanë, do të preferonin që Le Pen të fitonte ndonjë rajon, sesa të bien dakord për një marrëveshje me partinë e Macron. Por nëse Le Pen fiton rajonin Nice-Marsejë-Avignon, do të ishte një lloj “tërmeti” i vogël, dhe ndoshta edhe i madh.

    Një listë me 3 ose 4 parti mund të garojë në raundin e dytë, gjë që do të thotë se Le Pen mund të ketë nevojë vetëm për 40 për qind të votave, ose më pak, për të fituar një rajon. Kjo është larg nga fitimi i më shumë se 50 për qind në raundin e dytë me 2 kandidatë gjatë zgjedhjeve presidenciale, dhe me një pjesëmarrje shumë më të lartë të votuesve vitin e ardhshëm.

    Gjithsesi vrulli do të ishte i rëndësishëm.

    Fitimi i një rajoni do të rriste besueshmërinë e saj. Nëse Le Pen do të fitonte më shumë se sa një rajon, niveli i histerisë në politikën franceze do të mbërrinte kulmin. A parathotë përçarja e fortë e politikës franceze, suksesin e Le Pen vitin e ardhshëm? Unë mendoj se jo, por me situatën aktuale që po dominon në Francë, një rezultat i tillë i pabesueshëm nuk është më tërësisht i pamundur. / “Politico.eu”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark