Asambleja Parlamentare e Gjermanisë sot e ka zgjedhur ish-ministrin e jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, për president të ri të këtij vendi.
Steinmeier, kritikoi ashpër Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore amerikane.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, kur Steinmeier u pyet për rritjen e populizmit të djathtë në Gjermani dhe në vende të tjera, ai tha që “ata bëjnë politikë me frikë.”
E përditshmja gjermane “Berliner Morgenpost” e cilësoi atë si një “president anti-Trump”.
Në seancën speciale, për zotin Steinmeier votuan 931 prej 1,260 anëtarëve të Asamblesë Parlamentare, e cila përbëhet prej 630 ligjvënësve të Dhomës së Ulët të Parlamentit dhe po aq përfaqësuesve të 16 shteteve gjermane.
Presidenti i Gjermanisë ka pak autoritet ekzekutiv, por konsiderohet një autoritet i rëndësishëm moral.
Frank-Walter Steinmeir e kishte mbështetjen e “koalicionit të madh” të kancelares Angela Merkel, që përbëhet nga partitë e qendrës së djathtë dhe asaj të majtë. /Insajderi.com