SHBA– Tronditje dhe frikë në zyrat e Twitter për 7500 punonjësit. Sot nis “rrënjosja” e një pjese të madhe të fuqisë punëtore që do t’i kërkohet të largohet nga pozicioni.
“Ne do të fillojmë procesin e vështirë të reduktimit të fuqisë sonë të punës globale të premten”: thuhet në një email të brendshëm nga menaxhmenti i ri i kompanisë Twitter për punonjësit, i marrë nga AFP. Kjo konfirmon dhe zërat se Musk do shkarkojë punonjësit nga puna.
Mesazhi thotë se të gjithë punonjësit do të njoftohen deri në mëngjes kur zyrat e kompanisë do të hapen, pa specifikuar se sa prej tyre do të pushohen nga puna. Menaxherëve iu ndalua të thërrisnin ekipet e tyre në takime ose të komunikonin drejtpërdrejt me stafin, tha një zyrtar i lartë në kushte anonimiteti, duke shtuar se ata ishin duke u monitoruar.
“Duket sikur po punojmë mes Gestapos”, raportojnë zyrtarët dhe punëtorët.
Siç raporton CNN , mesazhi i dërguar stafit thotë:
“Nëse pozicioni juaj nuk ndikohet, do të merrni një njoftim përmes emailit tuaj në Twitter. Nëse pozicioni juaj preket, do të merrni një njoftim me hapat e mëtejshëm përmes emailit tuaj personal.”
Në email thuhet gjithashtu se “për të garantuar sigurinë” e punonjësve dhe sistemeve të Twitter, zyrat e kompanisë “do të mbyllen përkohësisht dhe kartat e punës do të pezullohen”.
Email përfundon duke pranuar se do të jetë “një përvojë tepër e vështirë” për fuqinë punëtore.
Një punonjës konfirmoi se ditët e pushimit janë hequr nga kalendarët e kompanisë për pjesën tjetër të vitit.
Twitter ngriti një padi grupore ditën e djeshme kundër planit të Elon Musk, pasi punëtorët thonë se kompania po bën pushime nga puna pa njoftim të arsyeshëm, në kundërshtim me ligjin federal dhe të Kalifornisë.