×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Fryma londineze e Ramës”- Synon bërjen drejtor të mbështetësit të fushatës zgjedhore

    Insajderi
    23 December 2021 - 19:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i ri i Prishtinës planifikon që t’ia kthejë borxhin një mbështetësi të fushatës zgjedhore. Do ta bëjë drejtor në qeverisjen komunale. Pas Alban Zogajt, drejtori Fadil Aliu-Hertica do të jetë zyrtari i dytë i lartë në qeverisjen komunale që ka miqësi të afërt me shefin e Përparim Ramës, Lumir Abdixhikun

    “Ekspertët, ekspertët, ekspertët”, është premtimi i ripërsëritur i Përparim Ramës kur është pyetur se kënd do ta favorizoj për postë të larta në qeverisjen lokale të Prishtinës. Edhe kandidatët tjerë e premtuan të njëjtën. Qytetarët i besuan Ramës, njeriut që premtonte frymë londineze në menaxhimin e Prishtinës.

    Por, pas marrjes së pushtetit duket se gjërat kanë ndryshuar. Gazeta Insajderi ka zbuluar se kryetari i ri i Prishtinës, Rama, ka marrë përsipër që të shtyjë përpara emërimin e Fadil Aliut-Herticës në postin e drejtorit komunal. Ai pritet të emërohet në pozitën e drejtorit për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës.

    Të nominuarit nga Rama për drejtor i kanë borxh Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ka mbështetur fushatën zgjedhore të Ramës për kryetar të Prishtinës. Përveç këtij kontributi, Aliu-Hertica është i afërt edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në foto: Përparim Rama, Fadil Aliu-Hertica dhe Lumir Abdixhiku

    Kontributin që ka dhënë për partinë nuk ia ka harruar Rama. E ka përmendur edhe publikisht, kur është pyetur se kush kanë qenë donatorët e fushatës së tij. Rama ka përmendur vetëm një person. Fadil Aliu-Hertica.

    Rama konfirmon mbështetjen që mori nga Fadil Aliu

    “Zyra ka qenë si donacion i pjesëtarit, të Fadilit është pronë e tij. Ai na ka lënë vendin, na ka hap. Fadil Aliu i Herticëve ai është pjesë e ekipës”, ka deklaruar Rama në njërën prej paraqitjeve të tij”, ka konfirmuar Rama në njërin prej emisioneve në RTK.

    Ndonëse Rama ishte zotuar se në ekipin e tij do të ketë vetëm ekspert e profesionit duket se ky parim veçse është thyer. E në pazar janë futur postet për drejtorë si në rastin e Aliu-Herticës.

    “CV-ja e ekipit tim do të ketë rëndësi të madhe. Ekipi do të jetë i bazuar në profesionistë dhe menaxher të mirë. Nuk ka rëndësi se nga cila parti janë apo janë të pavarur. E rëndësishme është që ata të jenë menaxher të mirë sepse na duhen që ta shndërrojmë Prishtinën në qytet për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Rama përcjell Insajderi.

    Në lidhje me këtë emërim Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga vet Përparim Rama e Fadil Aliu-Hertica. Por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. As nga zyra për komunikim e Lidhjes Demokratike në qendër nuk janë deklaruar.

    Por kush është Fadil Aliu-Hertica?

    Tentativat e akterëve kryesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta ‘rehatuar’ Fadil Aliun e Herticëve nuk kanë qenë të pakta.Më 19 tetor të 2020-ës, Qeveria Hoti e pati emëruar Fadil Aliun si anëtar të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës, i cili më pas u shkarkua pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

    Aliu- Hertica ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit të 2017-ës. Kishte arritur të marrë vetëm 2 mijë e 841 vota.

    Aliu që nga viti 2005 është pjesë e Institutit Riinvest, fillimisht si hulumtues, pastaj nga viti 2007 si hulumtues i lartë, nga viti 2009 si prodekan për mësim, ligjërues dhe drejtor menaxhues, në vitin 2012 ai ka marrë pozitën e drejtorit financiar në këtë Institut dhe ka vazhduar të jetë ligjërues.

    Në vitin 2013 Aliu është emëruar drejtor i Departamentit Ekonomik dhe në të njëjtën kohë ka qenë edhe ligjërues.
    Nga tetori i vitit 2014 ai është ligjërues në Kolegjin Riinvest. Ai ligjëron lëndët “menaxhimi i bankave dhe operacionet financiare”, “menaxhmenti financiar”, “makroekonomia” si dhe “statistika për ekonomistë”.

    Me 7 dhjetor, Përparim Rama ka pranuar detyrën e postit të kryetari të Komunës së Prishtinës. Rama arriti të fitoi 41 mijë e 746 vota apo 50,98 përqind. Ka arritur t’i merr vetëm 14 asambleistë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
    Kanë kaluar më shumë se dy javë prej kur është zgjedhur kryetar, Rama dhe ende nuk e ka ekipin e plotësuar, përveç nënkryetarit Alban Zogaj.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark