Pas gjobës 13 mijë euro që Agjencia për Informim i shqiptoi ministres Donika Gërvalla për fshehjen e faturave të shpenzimeve të Prindon Sadriut, që është edhe burri i Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, një institucion tjetër konstatoi shkeljen e ligjit nga kryediplomatja kosovare. Avokati i Popullit, pas shqyrtimit të ankesës së Gazetës Insajderi, ka kërkuar nga MPJ që t`ia siguroj gazetës faturat e kërkuara
Avokati i Popullit, ka konstatuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla ka shkelur ligjin për Qasje në Dokumente, pasi nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Gazetës Insajderi, lidhur me faturat e shpenzimeve të Prindon Sadriut.
Kjo erdhi pas ankesës që Gazeta Insajderi, ka dorëzuar në këtë institucion, i cili pas shqyrtimit të rastit ka konstatuar shkeljet nga Gërvalla. Rrjedhimisht ka përpiluar edhe raportin duke i rekomanduar Gërvallës t`ia ofroj gazetës faturat e kërkuara për shpenzimet e Prindon Sadriut.
“Avokati i Popullit konstaton se në rastin e ankueses MPJD-ja ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve lidhur me mundësimin, përkatësisht lejimin për qasje në dokumentet publike në përputhje me kërkesën e parashtruar të ankueses, e drejtë kjo e garantuar me akte vendore dhe me instrumente ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e Avokatit të Popullit.
“Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës: T`i ofrojë qasje në dokumentet e kërkuar, në pajtim me Ligjin nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet më dokumentin që Avokati i Popullit i ka dorëzuar ministres Donika Gërvalla.
Rekomandimi i Avokatit të Popullit ka shkuar në zyrën e Gërvallës me datën 7 shtator, shkruan Gazeta Insajderi.
Por që nga momenti kur Avokati i Popullit, ia ka kujtoj Donika Gërvallës se është e obliguar me Ligj t`ia ofroj Gazetës Insajderi, faturat e shpenzimeve të Prindon Sadriut, kanë kaluar 18 ditë pune, por asnjë lëvizje nuk është bërë nga kjo e fundit.
Avokati i Popullit sipas Kushtetutës së Kosovës, ka të drejtë të “bëjë rekomandime dhe të propozojë masa, nëse vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore.”
Ky institucion ka konstatuar se dokumentet e kërkuar nga Insajderi, sipas legjislacionit në Kosovë janë dokumente të qasshme për publikun e mediat.
“Avokati i Popullit vëren se kërkesa e ankuese për qasje në dokumentet publike drejtuar MPJD-së ka të bëjë me dokumente që ndërlidhen me aktivitetin që ankuesja zhvillon si gazetare për informimin e publikut, prandaj e drejta për informim/qasje në dokumente publike konsiderohet element thelbësor për të zhvilluar debate në interes të publikut dhe kontributi i mediave dhe i shoqërisë civile është i rëndësishëm për diskutimin e çështjeve me interes publik”.
“Për më tepër, dokumentet e kërkuara bëjnë pjesë në kategorinë e dokumenteve të cilat në bazë të ligjit për Qasje në Dokumentet Publike, parashihen se janë të qasshme sipas një kërkese, sepse dokumentet e kërkuara kanë të bëjnë me zbatimin e funksioneve publike ose me marrëdhëniet e punësimit të zyrtarëve publikë, përveç në rastet kur ka të dhëna personale të mbrojtura apo kur saktësohet ndryshe në ligjet përkatëse”, thuhet në dokumentin e Avokatit të Popullit.
Ka 8 muaj që kur Gazeta Insajderi ka bërë kërkesat e para për qasje në shpenzimet e diplomatit Prindon Sadriu, që janë mbuluar nga paratë e taksave të qytetarëve kosovarë. Por Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla nuk po heqë dorë nga fshehja e tyre.
E bindur në të drejtën për t`i marrë këto dokumente publike, gazeta i është drejtuar me ankesa Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Ky institucion e ka gjobitur Ministrinë e Punëve të Jashtme me 13 mijë euro për fshehjen e këtyre faturave.
Një gjobë tjetër rrezikon të marrë Donika Gërvalla, pasi që as në kërkesat e ripërsëritura nga gazeta për këtë çështje nuk është përgjigjur pozitivisht. /Gazeta Insajderi