Janë mbi 700 mijë euro që rrezikojnë të humbasin nëpër procese gjyqësore për shkak të një largimi në masë të punonjësve në Byronë Sigurimeve, buxheti i së cilës krijohet nga të hyrat në kufi-polica kufitare dhe kompanitë private anëtare- paratë e policëmbajtësve kosovarë. Këtë alarm e ka dhënë Banka Qendrore në një raport konfidencial që e posedon Gazeta Insajderi.
Visar Duriqi
“Sipas të dhënave të ofruara nga Byroja për periudhën e ekzaminimit, kërkesat në tërësi nga paditë e ngritura nga punonjësit dhe ish-punonjësit e Byrosë janë në vlerë prej rreth 746 mijë euro”, kështu e nis raportin për Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) i shkruar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kur përmend rreziqet financiare me të cilat përballët ky institucion.
Sipas të dhënave të ofruara nga vet Byroja tek BQK-ja, “sipas padive te ngritura, gjatë viteve 2020-2023 janë larguar rreth 18 punonjës. Nga mostrat e kontrolluara është evidentuar se janë larguar punonjës nga puna. duke mos iu vazhduar kontrata e punës, ku vendimi për largim nuk përmban arsyetimin e largimit. Mënyra e largimit të punonjësve përkundër përvojës se punës se tyre dhe mënyrës se si janë larguar, potencialisht mund të jetë në kundërshtim me kërkesat ligjore qe rregullojnë marrëdhënien e punës”, konstaton Banka Qendrore në një raport konfidencial që e ka Gazeta Insajderi.
Edhe pse ishin larguar 18 punonjës, dhe për të cilët BQK-ja ngre alarmin se mund ti fitojnë rastet nëpër gjykata, se disa u larguan edhe pa arsyetim, BKS-ja kishte punësuar edhe më shumë persona të tjerë.
“Sipas të dhënave të ofruara gjatë ekzaminimit, gjatë viteve 2021-2022 janë punësuar gjithsej 26 punonjës”, thuhet në raportin konfidencial, dhe bëhet me dije se punësimi i personave të rinj dyshohet se mund të jetë bërë jashtë-ligjshëm, por së paku u bë pa konkurs.
“Nga shqyrtimi i mostrave të përzgjedhura është evidentuar se përzgjedhja dhe punësimi in punonjësve është bërë pa ndonjë kriter të procesit të rekrutimit duke mos nënshtruar procesit konkursit. Për më tepër, me largimin e punonjësve, respektivisht në fund të vitit 2020, në të njëjtat pozita të tyre janë punësuar punonjës të rinj duke mos iu nënshtruar procesit të rekrutimit”, thuhet në raport.
Veprimet e tilla, fillimisht të mos vazhdimit të marrëdhënies së punës të punëtorëve, përkundër përvojës në punë, mos respektimit të afateve të kontratave, vendimeve mbi shkëputjen e kontratave pa arsyetim për mos vazhdim të marrëdhënies së punës, si dhe mos ndarjes së provizioneve, “konsistojnë në veprime të cilat e ekspozojnë Byronë në rrezik të lartë ligjor, financiar dhe reputacional”, alarmon BQK-ja.
BQK-ja tregon që edhe përballë këtij rreziku, organi që duhet ta mbikëqyrte punën e drejtorit ekzekutiv, në atë kohë Sami Mazreku, nuk e kishte bërë këtë. Madje as që kishin folur për këtë punë.
“Për më tepër, procesi i ekzaminimit ka evidentuar se nga shqyrtimi i procesverbaleve të takimeve të organeve mbikëqyrëse të Byrosë, qoftë të Këshillit Administrativ dhe Asamblesë së Përgjithshme, nuk është trajtuar çështja lidhur me largimin e punonjësve që është bërë nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe punësimi i punonjësve të rinj duke mos iu nënshtruar procesit të rekrutimit. Kjo praktikë e ndjekur reflekton mungesë të parimeve të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e Byrosë”, thuhet në raport, shkruan Gazeta Insajderi.
Për vitin 2022, pasqyrat financiare të Byrosë janë audituar nga auditori i jashtëm Grant Thorton. Sipas auditorit të jashtëm, pasqyrat financiare të Byrosë për vitin financiar 2022, përfshirë pasqyrën pozicionit financiar, pasqyrën e të ardhurave gjithëpërfshirëse, pasqyrën e ndryshimeve në fonde dhen pasqyrën e rrjedhës së parasë janë në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar me përjashtim të çështjeve të paraqitura më poshtë:
Auditorit i jashtëm për pasqyrat financiare të datës 31 dhjetor 2022, kishte ngritur si çështje kërkesat nga paditë e ngritura nga siguruesit kundër Byrosë në shumë prej 1,7 milionë urosh, pretendimet nga paditë e ngritura nga punonjësit dhe ish-punonjësit në shumë prej 746 mijë euro, dhe të arketueshmërinë nga Ministria e Financave në shumë prej 720 mijë euro, për të cilat nuk ka njohur provizion për humbje të mundshme materiale që mund të rezultojnë nga këto çështje gjyqësore.
Në letrën e Menaxhmentit janë përfshirë disa parregullsi, përfshirë: tejkalimin e buxhetit në disa kategori shpenzimeve, dallime në mes të regjistrit të aseteve fikse dhe pasqyrave financiare, mosbarazimi i data bazave të dëmeve të paguara prej MOU-ve, vonesat në procesin dhe përgatitjen e pasqyrave financiare, mospërputhjet ndërmjet pasqyrave financiare dhe raporteve të dërguara në BQK, kontrata e risigurimit, raportet e primeve të anuluara, mos realizimi i planit të auditimir brendshëm.
Po ashtu, Letra e Menaxhmentit përfshinë edhe çështjet lidhur me teknologjinë informative, përfshirë mungesën e politikes së BACK-up it qasja e punonjësve në Windows AD përkundër largimit të tyre, si dhe politika e fjalëkalimit.
“Gjatë procesit të ekzaminimit është evidentuar se një pjesë e gjetjeve të adresuara në Letrën Menaxhmentit janë përmirësuar”, thuhet në raportin e BQK-së.
Gazeta Insajderi ka publikuar një seri artikujsh për raportin konfidencial të BQK-së për Byronë e Sigurimeve, për parregullësitë e evidentuara deri tash.
Që para publikimit të artikujve të parë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar disa herë BKS-në, duke i dërguar pyetje, por të njëjtit deri tash nuk janë përgjigjur. Në një rast Insajderi ka mbajtur të Informuar edhe mbikëqyrësin, BQK-në, por as ky institucion deri tash nuk ka komentuar.
Lexo raportimet e insajderit këtu: