“Ftojmë deputetët e VV-së të votojnë pro tërheqjes së Trustit, në të kundërt do të ketë protesta” – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Ftojmë deputetët e VV-së të votojnë pro tërheqjes së Trustit, në të kundërt do të ketë protesta”

    Insajderi
    21 June 2022 - 22:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tash e sa muaj një dilemë mes të cilës është vendosur Qeveria Kurti është krijimi i mundësive ligjore, përmes të cilës qytetarëve të Kosovës t’ju mundësohet tërheqja deri në 30 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale – apo siç njihet ndryshe Trusti, shkruan Insajderi.

    Ishte Partia Demokratike e Kosovës si subjekti më i madh opozitar që bëri këtë propozim më 9 mars të këtij viti.

    Kurse çka shtyu PDK-në të dorëzoj një projektligj të tillë në Kuvendin e Kosovës ishte rritja enorme e çmimeve të produkteve esenciale në vendin tonë.

    Iniciativa e PDK-së gjeti mbështetje edhe nga partitë e tjera opozitare.

    “Qytetarë kanë hapur edhe një grup në Facebook, “PRO TËRHEQJES 30% TË TRUSTIT”, ku janë mbledhur rreth 26 mijë anëtarë të cilët kërkojnë që të procedohet projektligji për tërheqjen e këtyre parave”, thuhet në artikullin e Gazetës Demos të publikuar pikërisht para një muaji.

    Ndërkaq, grupi i krijuar atëkohë është funksional edhe tash, kjo pasi çështja e Trustit është zvarritur mjaft shumë.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me iniciatorin e këtij grupi, Adnan Jashari i cili ishte gjithashtu edhe organizator i dy protestave pro tërheqjes së Trustit.

    Duke e ditur që ditën e nesërme është caktuar të mbahet seanca për shqyrtimin e Projektligjit për Fondet Pensionale. Jashari tha se fton të gjithë deputetetët e në veçanti ata të Lëvizjes Vetvendosje të votojnë pro tërheqjes së Trustit.

    “Nesër është seanca ku do të diskutohet dhe do të votohet për tërheqjen deri 30% të Trustit. Ditëve të fundit janë shtuar edhe kërkesat ndaj deputeteve që të votojnë pro, sidomos ndaj deputetëve të VV-së që po hezitojnë ende të votojnë pro”, tha Adnan Jashari për Insajderin.

    Themeluesi i grupit “PRO TËRHEQJES 30% TË TRUSTIT”, tha për Insajderin se grupi që ai krijoi per një kohë të shkurtër ka arritur të grumbullojë numër të konsiderueshëm antarësh. Deri tani janë gjithësej 27 mijë e 300 antarë.

    Jashari tha se në nuk do të votohet projektligji, revoltimi i qytetarëve do të jetë i pamenjanueshëm dhe në plan do të ketë edhe protesta.

    “Perndryshe mosvotimi i projektligjit do te shkaktoje revoltim te qytetareve dhe protestat jane te pashmangshme sepse gjendja ekonomike po vazhdon te keqesohet per shkak te ngritjes se vazhdueshme te cmimeve”, pohoi Jashari.

    Grupi në fjalë është funksional prej 4 muajsh, kështu ideja sipas Jasharit erdhi pas rritjes së çmimeve.

    “Si grup kemi filluar para afërsisht 4 muajve, të mbledhemi qytetare nga e gjithe Kosova, me qëllimin e realizimit të kërkeses për tërheqje 30 % të Trustit! Ideja ka ardhur në kohën kur filluan të rriten të gjitha çmimet e produkteve dhe sa shkonin e shtoheshin kërkesat për tërheqje të kursimeve”, përfundoi Jashari për Insajderin.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se të mërkurën është caktuar të mbahet seanca për shqyrtimin e Projektligjit për Fondet Pensionale.

    “Ditën e mërkurë në seancën e së mërkurës do të jetë në rend dite Projektligji për tërheqjen e kursimeve në fondin pensional. Një kërkesë e qytetarëve që po vjen në kohën kur vendi po ballafaqohet me një rritje të çmimeve të produkteve esenciale ushqimore e të derivateve edhe të sfidës së energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark