Funksionin si grup kriminal, tetë të tjerë në arrati- Çka thotë dosja e Prokurorisë për laboratorin e falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Funksionin si grup kriminal, tetë të tjerë në arrati- Çka thotë dosja e Prokurorisë për laboratorin e falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë?

    Insajderi
    06 April 2025 - 20:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përgatisnin dokumente të falsifikuara identifikuese për më shumë se 50 vende të botës. Krejt këto, me qëllim të përfitimit të shumave të mëdha të parave. Prokuroria Speciale ka në cak 10 persona lidhur me laboratorin e falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë. Dy nga ta kanë rënë në pranga, ndërkaq tetë gjenden në arrati.

    Gazeta Insajderi ka parë dosjen e Prokurorisë Speciale, në të cilën thuhet se në mesin e tetë të kërkuarve, është edhe njëri pjesëtar i familjes së ngushtë të Arif dhe Flamur Krasniqit, babë e bir të arrestuar për laboratorin e falsifikimit të dokumenteve në lagjen “Qendresa” në kryeqytet.

    Flamur Krasniqi gjendet në paraburgim për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, ndërkaq për Arif Krasniqin është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

    Prokuroria në dosje thotë se është ende në fazë hetimore dhe nuk e ka të qartë se kush ka qenë “kreu” i organizatës kriminale, ndonëse Arif Krasniqi dyshohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal.

    LEXO EDHE:

    Tetë të pandehurit e tjerë dyshohen për njërën ose dy nga veprat e lartcekura penale.

    Gjithçka filloi në janar të këtij viti, kur Policia e Kosovës po kryente kontrolle rutinore në Veternik të Prishtinës. Përgjatë kontrollit, në një pikap të bardhë që po vozitej nga Flamur Krasniqi, u gjendën material që dyshohet se synohej të përdorej për falsifikim dokumentesh.

    Policia e Kosovës më 24 janar 2025 ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas hetimeve intenzive, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës”, thuhej në njoftimin e Policisë.

    Pas arrestimit të Flamur Krasniqit, në stacion policor si dëshmitar paraqitej babai i tij, Arif Krasniqi. Ai mohonte të ketë qenë në dijeni për aktivitetin kriminal që dyshohet se po e kryente i biri i tij.

    Më pas, të njëjtit përgjatë hetimit të telefonit iu gjetën prova që dyshohet se e fajësonin edhe atë në atë që Prokuroria Speciale po e quan si “grup kriminal” për falsifikim dokumentesh. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark